Këto do të jenë pagat e policëve nëse miratohet buxheti i ri

Sipas një propozimi të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike që Gazeta Blic e posedon, nivelim të pagës do të ketë edhe në Policinë e Kosovës.

Madje, pagat në këtë sektor sillen nga 1 mijë e 553 euro më e larta, deri tek më e vogla në 239 euro.

Më i privilegjuari në këtë sektor të sigurisë së vendit do të jetë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës i cili ka koeficient 6.5. Sipas këtij koeficienti shumëzuar me koeficientin bazë prej 239 eurosh, paga mujore e tij do të jetë 1 mijë e 553 euro.

Pak më poshtë i ranguar në Policinë e Kosovës do të jetë ndihmës drejtor i departamentit të policisë. Koeficienti i tij do të jetë 6, ku llogaritur me koeficientin bazë prej 239 eurosh, paga mujore e tij do të jetë 1 mijë e 434 euro.

Pagë mbi një mijë euro do të kenë edhe kolonelët e nënkolonelët. Koeficienti i kolonelëve do të jetë 5, ku paga mujore i bie të jetë 1 mijë e 195 euro. Ndërsa, nënkolonelët në PK që kanë koeficient prej 4.55, do të kenë pagë mujore prej 1 mijë e 087 eurosh.

Në këtë sektor, nën 1 mijë euro pagat do të jenë për majorët. Koeficienti i tyre do të jetë 3.9 ku paga mujore do të jetë 932 euro. Për kapitenët në PK, paga mujore do të jetë 717 euro, pasi koeficienti i tyre do të jetë 3.

Në Policinë e Kosovës, togerët do të kenë koeficient prej 2.75, e që paga mujore i bie të jetë 657 euro. Pagë më të ulët se togerët, do të kenë rreshterët. Koeficienti i tyre prej 2.4 u mundëson atyre një pagë mujore prej 573 eurosh.

Ndërsa, policët e lartë, me koeficient prej 2.2, do të kenë pagë mujore 525 euro. Policët, me koeficient 2, brenda muajit do të marrin 478 euro. Kurse, policët e rinj me koeficient 1.9, do të marrin 454 euro në muaj.

E pagën më të ulët në këtë institucion do ta kenë kadetët policorë. Koeficienti i tyre 1 u mundëson atyre një pagë mujore prej 239 eurosh.