KFOR-i britanik zgjat mandatin në Kosovë

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) do të vazhdojë deri në vitin 2026.

Kështu ka njoftuar ministri britanik i Mbrojtjes, gjatë një vizite në Kosovë.

Në njoftim zyrtar të ekzekutivit britanik thuhet se Kosova është një partner i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa sjell në kujtesë njohjen e shpejtë të Kosovës dhe faktin se forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë në rajon për më shumë se dy dekada.

“Zgjerimi i angazhimit tonë në kuadër të KFOR-it nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të mbështetur sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ministri gjatë vizitës ku u takua edhe me presidenten Osmani e kryeministrin Kurtin.

KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa të kontribuar nga rreth 30 vende duke përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe.

Ministri britanik ishte për vizitë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë./Fokusi.info/