KFOR-i konfirmon të shtënat afër patrullës së tyre në Zubin-Potok

KFOR’i ka konfirmuar se të dielën mbrëma një patrullë e KFOR’it derisa ishte në detyrë në Zubin Potok ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të tyre.

Në një përgjigje për Express, zyra e KFOR’it për media ka treguar se të lënduar nga ky rast nuk ka.

“Tani po i kontrollojmë faktet, ashtu siç kemi bërë do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.

Të dielën janë bërë 16 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri nga serbët lokalë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq.

Qeveria ka thënë se janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave. Në anën tjetër, KFOR-i ka thënë se barrikadat duhet të hiqen me dialog.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të bisedojë me komandantin e KFOR-it pas festës së Krishtlindjes.