Kurti dikur e vlerësonte Rakiqin e barrikadave si kujdestar të situatës në veri – tani si do ta quaj?

Goran Rakiq, ministër në Qeverinë Kurti, edhe sot e tregoi lojalitetin e tij ndaj Serbisë dhe mosdëgjueshmërinë ndaj Qeverisë së Kurtit, ku është vetë ministër.

Rakiq sot ishte në ballë të protestës në veri të Mitrovicës kundër vendimit të shefit të tij, Albin Kurtit, për moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Nga veriu i vendit, Rakiq i çoi ‘selame’ Kurtit se nuk i frikësohet as atij dhe as njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Madje, Kurtit ai i vendosi edhe kushte, shkruan Demokracia.com.

Në emër të serbëve të Kosovës, Rakiq tha se të gjithë qytetarët serbë të punësuar në institucionet e Kosovës do t’i braktisin vendet e tyre të punës deri në kthimin në punë pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, Liljana Stevanoviq.

Jolojaliteti ndaj institucioneve kosovare i Rakiqit dhe angazhimi i tij në favor të Serbisë, si duket edhe këtë herë do të mbetet e pandëshkuar.

Vetëm gjashtë muaj më parë kur protestohej kundër vendosjes së stickersave në targat e veturave dhe kur serbët bashkë me Rakiqin i bllokuan rrugët e veriut të Kosovës, ai arsyetohej nga shefi i tij Albin Kurti.

Kurti ishte bërë cinik asokohe duke thënë se Rakiq po kujdesej që protestat të mos eskalonin.

“Unë kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq. Me ministrin Rakiq kemi dallime, nganjëherë më të vogla, nganjëherë më të mëdha. Nuk mund të ankohem në të, për shkak që ka qenë i rregullt. Me aq sa jam i informuar unë dhe me aq sa më ka treguar ai, besoj që është përpjekur që situata mos të eskalojë dhe mos të ketë veprime të dhunshme dhe mendoj që nuk duhet të marrë masa ndaj tij”, kishte thënë Kurti.

Nga veriun i Kosovës, Rakiq sot i dërgoi “selame” shumë më direkte Kurtit, duke bojkotuar edhe vendet e punës në institucionet e Kosovës, deri sa ai nuk e ka ndërmarrë ende asnjë vendim ndaj tij.