Kiçmari i reagon Buxhovit: Propaganda të tilla ka pasur edhe gjatë luftës

Ish-ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, ka reaguar ndaj deklaratave të shkrimtarit Jusuf Buxhovi se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër. I njejti po thotë se propagandë të tillë kishte përjetuar gjatë luftës, derisa edhe në atë kohë shton se kishte pasur njerëz që mundoheshin të dezinformonin sa i përket luftës së UÇK-së.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ish-përfaqësuesi diplomatik i UÇK’së dhe ish ambasadori Kiçmari ka thënë se para se të deklarohej në këtë mënyrë, Buxhovi do të duhej të shkonte në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari, e të reflektonte. Më pas sipas ish-ambasadorit, shkrimtari Buxhovi do të duhej të vepronte njejtë edhe te varret e Zahir Pajazitit, Luan Haradinaj, të Fehmi Lladrovcit dhe Xhemajl Fetahaj.

“E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegoj diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtar e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë”, tha Kiçmari.

Sipas tij, Buxhovi nuk kishte pasur të drejtë as në vitin 1981 e as vite më vonë e as sot.

“Jusuf Buxhovi nuk ka pasur të drejtë as në vitin 1981, nuk ka pasur të drejtë as në vitet 1998-1999 dhe nuk ka të drejtë as sot. Lufta e pastër e UÇK është një nga ngjarjet më të ndritshme të historisë sonë të re”, përfundoi ai.