Kjo është historia e Laura Kovezit, gruas së pakompromis kundër korrupsionit, kryeprokurores rumune shembulli i së cilës na duhet shumë

Në një kohë kur sistemi i drejtësisë në Shqipëri po hedh hapa të reja, kemi zgjedhur kryeprokurorin e ri, një javë më parë u hap SPAK-u, kur korrupsioni ende është në nivele të larta, dritare.net ju sjell historinë e Laura Codruța Kövesi. Laura Codruța Kövesi ishte Prokurorja e parë e Përgjithshme femër në Rumani, nuk u dorëzua kurrë edhe pse ishte vetëm në gjithë rrugëtimin e saj si kryeprokurore. Nuk u dorëzua në luftën kundër korrupsionit, apo kur e larguan nga posti pa përfunduar mandatin e dytë si kryeprokurore. Nuk u dorëzua, dhe sot është kryeprokurorja e parë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, një organ i ri në Luksemburg që do të hetojë mashtrimin me fondet në BE.

Nga Laura Codruța Kövesi

Tridhjetë vjet më parë, unë isha një adoleshente që luaja basketboll në një qytet të vogël në Rumani. Ne dikur ëndërronim të fitonim kampionatin kombëtar dhe pastaj e fituam. Më pas ëndërroja të luaja në ekipin kombëtar të Rumanisë dhe ia arrita.

Ndonjëherë fitonim, herë të tjera humbnim, por kemi luajtur dhe luftuar me zemrat dhe shpirtrat tanë. Unë e doja shumë sportin, konkurrencën, lojën e ndershme dhe punën në skuadër, këmbënguljen për të arritur një ëndërr.

Në atë kohë, ëndrrat e mia kishin të bënin me sportin. Por gjërat ndryshuan kur unë ndoqa shkollën e drejtësisë dhe u bëra prokurore. Tani jam 46 vjeçe dhe për më shumë se gjysmën e jetës sime kam qenë prokurore. Kur u emërova fillimisht, në 1995, gjyqësori dominohej nga burrat. Kur nisa fillimisht punën, gjëja e parë që dëgjova ishte se, zyra e prokurorit nuk ishte për gratë. Por nuk u dekurajova aspak dhe aq më tepër të hiqja dorë.

Vitet e mia kur merresha me sport më kishin mësuar që puna, guximi dhe kërkimi i vazhdueshëm i përsosmërisë mund të tejkalonin çdo paragjykim. Në moshën 33-vjeçare, u bëra Prokurore e Përgjithshme e Rumanisë.

Jo vetëm që isha shumë e re, por isha edhe gruaja e parë që mbaja këtë pozicion. Familja dhe miqtë e mi ishin vërtet të frikësuar. Në atë kohë në Rumani, dukej e pamundur që një prokuror i përgjithshëm të mos pushohej nga puna para përfundimit të mandatit të tij. Megjithatë, për habinë e të gjithëve, kam marrë jo një, por dy mandate.

Në 2013-ën, u bëra Kryeprokurore e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit të Rumanisë (DNA), një strukturë e specializuar për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

DNA-ja udhëhoqi hetime te mijëra zyrtarë, midis tyre ministra dhe ish-ministra, deputetë, senatorë, sekretarë të shtetit, presidentë të këshillave të qarqeve dhe nëpunës të tjerë civilë, njerëz që dukeshin të paprekshëm, pavarësisht nga pozicionet apo pasuritë e tyre.

Hetimet tona kontribuuan në rritjen e ndërgjegjësimit për seriozitetin e korrupsionit në Rumani. Kur politikanët u përpoqën të ndryshojnë legjislacionin për të ndikuar në luftën kundër korrupsionit, qindra mijëra rumunë protestuan në rrugë, duke treguar mbështetjen e tyre në këtë betejë dhe për sundimin e ligjit. Më e rëndësishmja, ne vërtetuam se institucionet rumune mund të punojnë në mënyrë efikase dhe ligjërisht. Por mbi të gjitha, ne treguam se korrupsioni mund të mposhtet.

Megjithatë, pati mjaft rezistencë. U mobilizua një sistem i tërë, i formuar nga politikanë dhe biznesmenë që ndiheshin të kërcënuar dhe të vendosur për komanduar burimet publike.

Ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të kufizuar efikasitetin e hetimeve tona, për të kufizuar mjetet e përdorura nga prokurorët dhe për të refuzuar heqjen e imunitetit për politikanët të akuzuar për korrupsion. Ne kemi kryer hetime për zyrtarë dhe ministra që dukeshin të paprekshëm.

Për shembull, në janar 2017-ës qeveria u përpoq të miratojë një rregullore emergjente për të dekriminalizuar disa vepra penale, në mënyrë që të favorizojë njerëzit që akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe t’i falnin.

I gjithë sistemi i drejtësisë u përball me sulme të pabesueshme, duke filluar nga dezinformata shpifëse e deri te punësimi i ndërmarrjeve të huaja të specializuara për kërcënime. Në korrik të 2018-ës, pas presionit nga politikanët, ministri i Drejtësisë i asaj kohe, vendosi t’i japë fund mandatit tim, pavarësisht kundërshtimit të presidentit të vendit.

Muajin e kaluar hapa një kapitull të ri. Unë u bëra kryeprokurorja e parë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, një organ i ri në Luksemburg që do të hetojë për mashtrimin me fondet e BE-së.

Do të kërkoj një përpjekje të madhe nga të gjithë për të krijuar një institucion të lulëzuar, që besohet nga qytetarët evropianë, i aftë të mbrojë interesat financiare të BE-së dhe të kontribuojë në zbatimin e ligjit evropian.

Ka kaluar shumë kohë që kur luaja basketboll në një qytet të vogël të Rumanisë. Kaq shumë gjëra kanë ndryshuar, por nga ana tjetër, esenca është po ajo. Nëse bëni atë që mendoni dhe dini se është e mirë, morale, ligjore, nëse keni një qëllim të ndershëm dhe fisnik, asnjë disfatë nuk është përfundimtare.

Vitet e kaluara, unë kam ndjerë gjithnjë e më shumë atë që ndjeja kur luaja basketboll, se kam pasur një skuadër mbështetëse titanike. Në këtë rast, janë miliona qytetarë që i dhanë kuptim luftës sonë për drejtësi dhe zbulimin e së vërtetës.

Kjo është historia ime deri më tani. Për mua, këtu fillon një histori e re, ajo në ekipin evropian./Përktheu për dritare.net nga Financial Times: Kadrije Çako/