Lushi: UÇK-ja largoi çdo uniformë serbe nga Kosova, tani rastin për luftë e kanë llapaqenët

Veprimtari Uk Lushi ka reaguar ndaj atyre që po e kritikojnë luftën e UÇK-së.

Duke ironizuar me pretendimet e tyre, ai ka shkruar se tani e kanë radhën ta organizojnë një luftë kritikuesit e UÇK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se UÇK-ja ka arritur të largoj çdo uniformë serbe nga Kosova.

“Sot Kosova ka gjykata. Ka ushtri të organizuar. Ka polici dhe të gjitha shërbimet e sigurisë. Ka Komandante Supreme një juriste par exellance dhe një trime mbi trima. Kryeministër gjegjësisht drejtor politik një djalosh të ri dhe dijetar të të gjitha fushave. Simpatizantët, partizanët dhe të devotshmit e këtyre dy heronjëve si dhe kritikuesit e imperfektivitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së e kanë rastin ta nisin një luftë të re dhe ta bëjnë atë 100% perfekte dhe shembullore që ta kenë xhelozi krejt ushtritë e botës”, ka shkruar Lushi.

Ai ka thënë se mezi pret thirrjen për mobililizim të luftës që do ta fillojnë kritikuesit e UÇK-së.

“UÇK arriti të detyronte largimin e çdo uniforme serbe nga Kosova. Shumë apo pak, varësisht sa beson në fjalë e jo veprime, UÇK kaq bëri. Tash e kanë rastin llapaqenët dhe kritikuesit të na tregojnë si bëhen luftërat. Gjithmonë është më vështirë të flitet se sa të bëhen gjërat. Monday quarterbacking— i thonë amerikanët e mençur. Mezi pres thirrjen për mobilizim! Komandante, menjëherë pas myhybëve më zhurmaxhinjë, prapa teje do jem!”, ka shkruar Lushi.