Klimë e tensionuar gjatë festimeve të Krishtlindjes ortodokse

Ortodoksët malazezë të dy kishave rivale festuan vigjiljen e Krishtlindjes sot, në një klimë tensionesh të përkeqësuar nga një ligj që prishi marrëdhëniet me Serbinë.

Dy grupet e besimtarëve u mblodhën në Cetinje, ish-kryeqyteti mbretëror i vendit të vogël ballkanik, me rastin e ritit të “badnjak”-ut, gjatë të cilit digjen degë lisi.

Forca të shumta policore u vendosën midis dy grupeve, disa qindra metra larg-njëri-tjetrit.

Sipas policisë, rreth 800 besimtarë të kishës ortodokse serbe, u mblodhën para manastirit të Cetinje-s.

Gati 400 përkrahës të Kishës së Malit të Zi, e panjohur nga bota ortodokse, festuan para kështjellës së Nikolasit I, mbretit të fundit të Malit të Zi të pavarur.