Klinaku kërkesë Shqipërisë: Mos e ekstradoni Dritan Goxhaj në Hagë

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të mos ekstradojnë në Dhomat e Specializuara në Hagë të Holandës, Dritan Goxhajn, i cili është arrestuar më 31 korrik nga autoritetet shqipare, shkruan Fokusi.info.

Klinaku, përmes një statusi në “Facebook”, ka kërkuar që shteti shqiptar të mos ekstradojë askënd në Dhomat e Specializuara në Hagë, ngase sipas tij, akuzat e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale janë kryekëput politike. Ai ka konsderuar se institucionet e Shqipërisë janë “sovrane”, ndërsa ato të Kosovës “të gjora”.

“Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e Gjykatës Speciale, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë”, ka shkruar Klinaku.

Statusi i plotë i Klinakut:

Thirrje Institucioneve të Republikës së Shqipërisë

Meqenëse Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gjora përballë gjykatës politike speciale në Hagë, është e rëndësishme që Shqipëria si shtet sovran të mos ekstradojë askë, e me këtë rast as z.Dritan Goxhaj, sepse akuzat e kësaj gjykate janë kryekëput politike.

Arsyetim:

“Siç e kemi të njohur, Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e asaj Gjykate, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë.

Dritani paska nxjerrë “sekretin” për ndonjë dëshmitar dhe me këtë po thuhet se qenka “penguar” drejtësia! Por, ne e dijmë se asaj Gjykate Superspeciale i dolën sheshit dosjet e tyre në mes të Prishtinës dhe për këtë megaskandal të saj u dënuan shokët tanë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Ne e dijmë poashtu se zyrtarisht dhe në njoftimet e webfaqes së tyre, ata i kanë publikuar viktimat dhe me këtë edhe dëshmitarët.

Shtrohet pyetja, kush u hetua apo u dënua nga anëtarët e asaj pseudogjykate e cila nxori sekretin e dokumenteve që ishin në administrimin e tyre?

Në praktikat gjyqësore penaliteti zbatohet ndaj personit përgjegjës që ruan apo disponon dokumentet e cilësuara “sekret” dhe jo mbi të tjerët, të cilët në rrugë e forma të ndryshme mësojnë për sekretin./Fokusi.info/