Klinaku: Kosova para dy të këqijave, ta pranojë Asociacionin ose të përplaset me ndërkombëtarët

Ish-kryetari i Partisë Lëvizja për Bashkim, Avni Klinaku, ka deklaruar se Kosova gjendet para dy të këqijave: ta pranojë Asociacionin, si e keqe e përhershme, ose të ketë përplasje me ndërkombëtarët.

Ai ka thënë në emisionin “Konfront” të KTV-së të enjten se kjo situatë përfshin si partitë opozitare, si ato në pushtet, ndërsa ka shtuar se në këtë situatë, Kosova ka ardhur për shkak të politikës së brendshme.

“Të dyjave kemi mundur t’iu ikim. Kemi ardhur në një situatë t’i themi po ose jo Asociacionit, për shkak të fajit tonë. Ky faj është nga fillimi i dialogut, nga 2011-a. Dialogut i janë qasur gabimisht, kjo ka prodhuar një formë kompromisi apo refuzimi. Partia që ka qenë në pushtet, s’ka guxuar t’i thotë dialog politik, po vetëm teknik, ku do të diskutohen çështjet teknike, që fillimin e procesit ta bëjë më të lehtë. Dialogun e shohin si diçka të imponuar, si përmbushje të kushtit të faktorit ndërkombëtar. Duke qenë kështu, pala jonë duke mos pranuar dialogun, ka shkuar e papërgatitur në bisedime”, ka thënë Klinaku.

Sipas tij, Kosova në Bruksel është detyruar të flasë vetëm për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe ka tentuar t’i ikën dialogut.

“Është e kuptueshme që nëse bisedon vetëm për problemet e brendshme, do të vijnë edhe kompromiset që t’i s’mund t’i refuzosh. Qeveria Kurti për ndryshim, nga fillimi e ka thënë se është kundër dialogut. ‘Jo negociata, vetëvendosje’. Kur ka ardhur në pushtet, është munduar ta bëjë si prioritet të 7-të a të 8-të, por kryesorja, qasje kryesore ndaj dialogut s’ka pasur as kjo Qeveri”, ka shtuar ai.

Klinaku ka theksuar se Kurti ka ardhur në pushtet me premtimet se do t’i zhbëjë marrëveshjet.