Klinaku sërish apel deputetëve: Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës, ndryshe do të protestojmë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku sërish iu ka bërë apel deputetëve për mosmiratimin e projektligjit ”diskriminues” ndaj kategorive të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Klinaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar për mosmiratim të këtij projektligji për inate politike.

”Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet! Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike’’, shkruhet në postimin e Klinakut.

Ndër të tjerash, ai shton se deputetët e pakicave nuk duhet të rreshtohen kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, pasi janë aty në bashkëqeverisje për interesat e pakicave që përfaqësojnë.

Klinaku, gjithashtu, paralajmëron se nëse nuk dëgjohet thirrja e tij do të detyrohen të organizojnë protestë para institucioneve e të qëndrojnë aty natë e ditë.