Klinikat, në pritje të aparaturave të reja

Investimi i ulët në blerjen e aparaturave dhe neglizhenca e derivonshme e modernizimit me pajisje të reja të shumë ambienteve spitalore e laboratorike në QKUK kanë bërë që spitalet e klinikat të punojnë edhe me aparatura të stërvjetruara. Ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë ditë më parë se do të vazhdojnë të investojnë në spitalet në vend derisa t’i shndërrojnë ato në objekte moderne, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë gjatë këtij viti ka blerë disa aparatura të nevojshme për institucionet publike shëndetësore në vend, këto të fundit edhe më tej kanë kërkesa për stabilimente të reja shëndetësore. Investimi i ulët në blerjen e aparaturave dhe neglizhenca e derivonshme e modernizimit me pajisje të reja të shumë ambienteve spitalore e laboratorike në QKUK kanë bërë që spitalet e klinikat të punojnë edhe me aparatura të stëvjetruara dhe të amortizuara, të cilat është dashur të dalin jashtë përdorimit.

Nevojë për aparatura të reja ka shprehur edhe stafi i Klinikës së Otorinolaringologjisë në QKUK.

Drejtori i kësaj klinike, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se kanë bërë kërkesa për pajisjen e Kabinetit të Audiologjisë, si dhe për disa aparatura të tjera, të cilat janë të nevojshme për Klinikën. “Aparaturat tjera janë në procedurë, pra për pajisjen e Kabinetit të Audiologjisë duhen dy eudiometra e dy timpanometra më modernë. Është bërë porosia edhe për furnizim të sallave me tavolina të reja”, ka thënë ai.

Përndryshe, Thaçi ka thënë për gazetën se gjatë këtij viti Ministria e Shëndetësisë i ka furnizuar me dy aparatura. “Ne jemi furnizuar me aparaturën më bashkëkohore me të cilën bëhet endoskopia e hundës. Jemi pajisur edhe me bronkoskopi dhe me aparaturë për nxjerrje të trupave të huaj duke u imazhëruar. Më në fund i ka ardhur radha edhe Klinikës sonë, por nevojat tona janë edhe më të mëdha”, ka shtuar ai.

Me disa aparatura gjatë këtij viti është pajisur edhe Spitali i Ferizajt.

Drejtori i këtij spitali, Jeton Zeqiri, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti janë pajisur me katër aparatura të reja.

Ai ka thënë se si spital kanë përfituar rreth 400 mijë euro për pajisje. “Spitali i Ferizajt ka përfituar një shumë prej afër 400 mijë eurosh pajisje. Disa pajisje i kemi liferuar e për disa janë kryer procedurat tenderuese që i ka pasur Ministria e Shëndetësisë, presim që në çdo moment të vijnë. Ne i kemi marrë katër pajisje dhe javën e ardhshme do të marrim prapë”, ka deklaruar ai.