Klitschko: Armiku është në periferi të Kievit

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një video mesazhi ka paralajmëruar se siç i quan ai “armiku është në periferi të kryeqytetit”, teksa shton se ushtria ukrainase po përgatitet ta mbrojë Kievin.

“Forcat tona të armatosura, Forcat e Mbrojtjes Territoriale, po luftojnë heroikisht për tokën tonë.Në hyrjet e qytetit janë ndërtuar fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa nevojë dhe qëndroni në strehimore në rast alarmi”, tha ai.

Një kolonë masive ushtarake ruse 40 milje e gjatë – e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri të tërhequr dhe mjete të tjera logjistike – ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas CNN.

Në një video-mesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”, transmeton lajmi.net.

“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky.

Duke i bërë jehonë komenteve të presidentit, Klitschko tha se forcat ruse duan të “marrë zemrën e vendit tonë”.

“Ne do të luftojmë dhe nuk do të heqim dorë nga Kievi,” pohoi ai.