“Koha”: Tri opsionet që BQK-ja ia ka dorëzuar Bankës Serbe për kryerjen e pagesave për serbët në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës raportohet se i ka dërguar tri opsione Bankës Popullore të Serbisë për mundësinë e kryerjes së transferave të pagesave për qytetarët serb në Kosovë.

Mediumi “Koha” duke cituar burime brenda BQK-së, ka deklaruar se nuk kanë marrë ende përgjigje, dhe se opsionet e njëjta, i janë dërguar edhe Bashkimit Evropian.

Si opsion i parë, BQK-ja ka propozuar që BNS-ja t’i dërgojë mjetet në euro te BQK-ja, e më pas BQK-ja t’i shpërndarë ato nëpër llogari të përfituesve në euro.

Opsioni i dytë, është që BNS-ja ti dërgojë mjetet si transfer në një bankë ndërkombëtare ku BQK ka llogari, e më pas, ato të shpërndahen nëpër llogari të përfituesve.

Ndërkaq, opsioni i tretë është përmes bankave komerciale. BQK ka propozuar që njëra nga bankat komerciale që operon në Kosovë e Serbi, të zgjidhet si opsion. Më pas, Serbia t’i dërgojë si transfer ndërkombëtar mjetet në euro në një bankë komerciale të Kosovës, dhe më pas, banka t’i shpërndarë ato nëpër llogaritë e përfituesve.