Komandanti i njohur i UÇK-së i bashkohet AAK-së – kandidon për deputet

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është bashkuar sot Salih Lajçi, komandant i Brigadës 136 “Rugova” të Zonës Operative të Dukagjinit, të UÇK-së.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i AAk-së Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook, duke u shprehur mirënjohës ndaj Lajçit për vendimin që t’i bashkohet Aleancës.

“Koncepti i Aleancës për Kosovën 100% shtet, po e merr besimin e gjerë qytetarë, duke i bashkuar atdhetarë, intelektualë, sipërmarrës dhe ekspertë të të gjitha fushave. Pata kënaqësinë ta pres në takim veprimtarin e çështjes kombëtare, Sali Lajçin, komandant i Brigadës së UÇK-së 136 “Rugova” të Zonës Operative të Dukagjinit. Mirënjohës që baca Sali, vëlla i heroit te Kosovës, Selman Lajçi, dhe dhjetëra bashkëluftëtarë të tij nga treva e Rugovës, nga sot, i bashkohen familjes së madhe të AAK-së. Po ashtu, mirëpres kandidimin e profesor Saliut, në listën tonë për deputet në Kuvendin e Kosovës”, shkruan Haradinaj në Facebook.