Komuna e Obiliqit e fiton gjyqin ndaj ZRRE-së, qytetarët e saj do ta paguajnë rrymën më lirë

Komuna e Obiliqit e ka fituar rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ZRRE-së për pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifat e të energjisë elektrike.

Vendimi është nxjerrë më 27 maj nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai bazohet në të drejtën e paraparë me Ligjin për Obiliqin për një tarifë më të ulët të energjisë për qytetarët e Obiliqit.

Padia të cilën e ka fituar pjesërisht Komuna e Obiliqit i referohet nenit 8. 2.1 të Ligjit për Obiliqin.

“Një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike”, thuhet në Ligj.

Gjykata e ka vendosur që të pezullohet vendimi për shtrenjtim të tarifave të datës 8 shkurt të këtij viti deri në një vendim përfundimtarë të Gjykatës.

“Aprovohet kërkesa e paditësit- propozuesit, Komuna e Obiliqit, si e bazuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Komuna e Obiliqit ka kërkuar nga Gjykata që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së në Prishtinë, i datës 8 shkurt të këtij viti, deri në përfundim të procedurës gjyqësore sipas padisë së ushtruar në Gjykatë, lidhur me këtë çështje.

Komuna e Obiliqit në vazhdimësi ka kërkuar që të respektohet Ligji për Obiliqin i cili tash e pesë vjet është në fuqi për tarifa më të ulëta për qytetarët e kësaj komune.