Komuna e Prishtinës kërkon nga MASHT anulimin e konkursit për psikologë dhe pedagogë

Komuna e Prishtinës i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të ndalojë procedurat e rekrutimit për konkursin e shpallur për “Psikologë dhe pedagogë” të datës 25 qershor të këtij viti.

Përmes këtij konkursi MASHT synonte që në institucionet edukativo arsimore të rajonit të Prishtinës të punësohen 6 psikologë dhe 4 pedagogë.

Sipas Komunës së Prishtinës, konkursi është shpallur në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, sa i përket kompetencës së shpalljes, rekrutimit dhe çdo faze tjetër të punësimit të profileve të caktuara.

“Kompetente për punësim është institucioni i cili zhvillon procedurën e konkurimit, lidhë kontratë me të punësuarin, i cili është i obliguar që të përmbushë të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës të cilin i siguron punëdhënësi, ky i fundit njëherit ka dhe obligimet e përcaktuara me dispozita ligjore në fuqi”, thuhet në deklaratën e Komunës.