Konjufca: Negociatat me Kadri Veselin nuk përjashtohen

Njeriu i dytë më i votuar në VV si dhe krahu i djathtë i Albin Kurtit, Glauk Konjufca, ka konfirmuar mosmarrëveshjet me LDK’në lidhur me ndarjen e posteve, ndërsa nuk përjashton negociata me parti të tjera, duke përfshirë edhe me PDK’në e Kadri Veselit, shkruan Gazeta Metro.

Konjufca dje në një emision tha se do të shqyrtohen të gjitha opsionet e VV’së, se a do të shkohet në zgjedhje, apo do ketë negociata me parti të tjera.

“Në fund do të ulemi dhe do të shqyrtojmë cilat janë opsionet e Vetëvendosjes dhe do të themi a ja vlen t’i kontaktojmë të tjerët, apo po shkojnë në zgjedhje, apo po hina në këto marifetet me PDK’në”, ka thënë Konjufca mbrëmë.

Përveç PDK’së, ai ka lënë të hapur mundësine e bashkëpunimit edhe me AAK’në e PSD’në.

Ndryshe, LDK’ja dhe VV’ja nuk arritën të lidhin një marrëveshje të hënën për koalicion qeverisës pasi që LDK’ja kërkoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe postin e Presidentit.

Kujtojmë se dy partitë kanë një muaj kohë që të nënshkruajnë marrëveshje dhe të formohet Qeveria e re.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.