Konjufca: Pengimi i gazetarëve është tkurrje e vlerave demokratike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme.

Sipas tij, pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike, raporton Klan Kosova.

“Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme. Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

“Media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike”, ka shtuar ai.

Kryekuvendi ka bërë thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësisve dhe detyrave të tyre përkatëse.