Konjufca reagon pas lajmit se darkoi me militantë të partisë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka reaguar pas lajmeve se i njëjti ka thyer masat Anti Covid duke bërë një tubim me aktivistë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se atij iu është keqpërdorur një fotografi e 17 shkurtit, teksa ka shtuar se dje ka qenë në homazhe bashkë me presidenten dhe kryeministrin.

“Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po sulmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë”, ka thënë ai.

“Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë”, shtoi Konjufca.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë isha cak i një sulmi të disa portaleve (Metro, Periskopi, Insajderi, Infokus dhe Lajmi.net) përmes një lajmi të rremë. U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit për të ma mveshur një darkë të pa qenë.

Unë dje, së bashku me Presidenten dhe Kryeministrin, fillimisht isha në homazhe te dëshmorët e Prishtinës me rastin e ditës që u kushtohet atyre. Më pas vazhdova te varri i Adem Demaçit dhe dëshmorët e rënë në krye me Afrim Zhitinë. Pas kësaj shkova në Makoc për t’i nderuar të rënët e këtij vendi e të Gollakut. Vazhdova për ta përkujtuar Betejën e Marecit ku ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë mes 18 e 23 prillit të vitit 1999. Po këtë datë ishte edhe përvjetori i masakrës së Koliqit e Dyzit dhe unë isha atje po ashtu për të bërë homazhe. Dhe, në fund shkova edhe ne fshatin Ribar të Lipjanit meqë më 18 prill 1999 ushtria e policia serbe atje vrau 25 shqiptarë.

Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po sulmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë.

Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë.