Kontratat njëburimore, Mustafa: Në qeverisjen e tanishme janë afro 800 kontrata që kapin vlerën mbi 200 milionë euro

Kontratat njëburimore u diskutuan gjerë e gjatë në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Rreth kësaj çështjeje ka folur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa gjatë një konference për medie të shtunën.

Ai tha se gjatë qeverisjes që LVV-ja është në pushtet, gjithsej janë 781 kontrata njëburimore që kapin vlerën prej 209 milionë eurove, njofton Klankosova.tv.

“Vetëm 2.5 për qind të këtyre kontratave janë vazhdim i kontratave të mëhershme ndërsa 97.5 për qind janë kontrata të reja Këto janë kontrata ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy me zyrtarët e ministrisë apo vet ministrat apo përfaqësuesit e kompanisë të cilës i besohet një tender. Neve na mbetet të ftojmë Prokurorinë e Shtetit që të hetojë këto raste si dhe rastet e tjera në të gjitha ministritë”, u shpreh Mustafa.

“Në Ministrinë e Ekonomisë, duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë kësaj ministrie, duke përfshirë KEK-un, Postën, Telekomin, kemi për këtë periudhë 152 kontrata të tilla me vlerë prej 124 milionë e 606 mijë e 73 euro. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në këtë periudhë kemi 33 kontrata të negociuara në katër sy me vlerë prej 25 milionë e 772 mijë e 698 euro. Në Ministrinë Infrastrukturës, ku përfshihet edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kemi 69 kontrata të tilla me vlerë prej 10 milionë e 570 mijë e 71 euro, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 56 kontrata të tilla me vlerë prej 4 milionë e 763 mije e 391 euro, në ministrinë e Drejtësisë, pra imagjinojeni në Ministrinë e Drejtësisë, kemi 13 kontrata me vlerë 4 milionë 95 mijë e 729 euro”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së tha se për sigurimin e objekteve apo ndërtesave janë 74 kontrata të tilla me vlerë prej 9 milionë e 539 mijë e 951 euro. “Kontrata për ekspertë, pra kaq të paaftë janë kjo qeveri, kemi 35 kontrata me vlerë prej 1 milion 464 mijë e 596 euro. Kontrata për vetura me qira, katër kontrata 434 mijë e 592 euro”.

“Po e veçoj një kontratë njëburimore për licenca të Microsoftit. Në mars të vitit të kaluar kemi një kontratë prej 15 milionë euro e cila i lejon shtesë 30 për qind tejkalim të kësaj vlere, pra edhe katër milionë e gjysmë, totali 19.5 milionë”, theksoi deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në këtë konferencë për media.