Koronavirusi hyn në Shqipëri, mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë

Pas konstatimit të dy pacientëve të parë me koronavirus në Shqipëri, qeveria shqiptare pritet të mblidhet sot në një takim të jashtëzakonshëm për të marrë masat e nevojshme  shtesë për të mos lejuar përhapjen e epidemisë.

Po ashtu, vetëm një ditë më parë, nisur nga situate e rënduar në Itali, Presidenti Ilir Meta bëri këtë apel për qeverinë:

Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike;

Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24;

Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjekësor të mobilizuar për përballimin e situatës;

Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjienës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv./SYRI.net