Prokuroria jep detaje për aksionin “Brezovica 3”

Prokuroria për rastin Brezovica: Është urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë

Mëngjesin e sotëm u bastisën shtatë lokacione për rastin “Brezovica”. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se është dhënë urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, është duke vazhduar aksioni ‘Brezovica’ përkatësisht, urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit. Lidhur me këtë aksion i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Ndërsa në aksionin e 3 marsit ishin bastisur 12 lokacione dhe ishin arrestuar shtatë persona, prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronat të kompanive ndërtimore.

Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit si dhe ushtrim të ndikimit.

Bastisjet kanë ndodhur në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni “Brezovica 3 ” ku janë duke u bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan. Deri më tani janë arrestuar shtatë (7) persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit. Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni”, thuhej në komunikatë.

Aksioni i parë në rastin “Brezovica” kishte ndodhur në dhjetorin e vitit të kaluar e ku ishin arrestuar dhjetëra persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se përfitoi deri në një milion euro për lejet e lëshuar kundërligjshëm për ndërtim të objekteve në Brezovicë.