Koronavirusi, prezent që në vitin 1964, por kishte pak njohuri

Kur June Almeida u zhyt në mikroskopin e saj elektronik në vitin 1964, ajo do të vinte re një pikë gri të rrumbullakët të mbuluar me hala të vogla. Ajo dhe kolegët e saj vunë re se kunjat krijonin një kurorë rreth virusit, të ngjashme me kurorën e diellit.

Ajo çka ajo zbuloi do të bëhej i njohur si “coronavirus”. Por ky zbulim mbeti me aq, pasi shkencëtarja nuk arriti ta mbarojë asnjëherë arsyetimin mbi risqet e tij.

Almeida lindi në qershor të vitit 1930 në Glasgow Skoci, dhe aty jetoi së bashku me familjen deri në moshën 24 vjeçare. I ati, Harry Hart, punonte si shofer autobusi. Në shkollë ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe me ambicie të mëdha për të vazhduar universitetin, por të ardhurat e familjes ishin të pakta.

Në moshën 16-vjeçare ajo la shkollën dhe filloi punën si teknike laboratori në Glasgow Royal Infirmary, në sektorin e vëzhgimit mikroskopik që merrej me analizimin e mostrave të indeve. Më 11 dhjetor të vitit 1954 ajo u martua me artistin venezuelian Enrique Almeida, me të cilin ka një vajze Joyce, dhe më pas do të linte Glasgown për t’u transferuar me punë në spitalin e Shën Bartolomeut në Londër.

Më pas çifti do të emigrojë në Kanada, ku ajo filloi punë në institutin e kërkimeve për sëmundjen e kancerit në Ontario. Ajo aplikoi teknika të reja të kërkimit, dhe publikoi disa artikuj në lidhje me format e reja të strukturës së viruseve të pazbuluara më parë. Teknika e mikroskopisë e zhvilluar nga Junë Almeida ishte e thjeshtë, por revolucionare në fushën e virologjisë.

Kur punohet me grimca mikroskopike, në shumë raste shkencëtarët e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë kërkojnë. Teknika e përdorur nga almeida futi në funksionim mikroskopët elektronikë. Një mikroskop i tillë zbërthen me anë të elektroneve ekzemplarin e përdorur dhe më pas sheh ndërveprimin e grimcave në sipërfaqen e tij.

Meqenëse elektronet kanë gjatësi vale më të shkurtër se drita, kjo bën të mundur t’u tregojë shkencëtarëve imazhe në detaje shumë të imta dhe më të vogla se një mikroskop i thjeshtë. Dallimi dhe sfida e vërtetë qëndron në faktin se nga një grimcë duhet të zbulojmë nëse është virus, qelizë apo diçka tjetër.

Për të zgjidhur enigmën, Almeida, përdori antitrupa të marrë nga individë të infektuar, për të krijuar kështu një imazh të virusit.

Antitrupat, tërhiqen nga homologët e tyre antigjenë. Kështu që kur Almeida, shtoi grimca të veshura me antitrupa në epruvetë, ato u mblodhën rreth virusit duke treguar kështu për prezencën e tij. Kjo teknikë u mundësoi epidemiologëve të përdorin mikroskopinë e elektroneve si një mënyrë për të diagnostikuar infeksionet virale tek pacientët.

Almeida vijoi punën në zbulimin e një morie viruesh, përfshirë rubeolën, e cila mund të shkaktojë komlikacione gjatë shtatzanisë tek gratë. Shkencëtarët e kishin studiuar rubeolën (fruthi tre ditor siç quhej ndryshe) por Almeida ishte e para që e vuri re në dimensione dhe në formën e plotë të tij.

Ndërsa aftësitë e saj në fushën e kërkimit ishin konsoliduar tashmë, June u kthye në londër në qendrën universitare të spitalit St. Thomas. Në vitin 1964 do e kontaktonte dr. David Tyrell, i cili ishte udhëheqës shkencor në Common Cold Unit të Salisbury, Wiltshire.

Katër viruset me corone te shfaqura ne mikroskopin e Almeides. Forma halore perreth tyre, i shtyu zbuluesit ta quanin grupi i viruseve me corone, ose coronavirus

Ekipi i tij kishte mbledhur mostra të virusi të ngjashëm me gripin që ata e etiketonin “B814”. Mostra ishte marrë nga disa nxënës të sëmurë të shkollës Surrey, por po hasnin vështirësi të mëdha për ta kultivuar atë në laborator. Ndërsa metodat tradicionale dështuan, studiesve filluan t’i lindin dyshime se B814 mund të ishte një virus krejt i ri.

Me pritshmëri të ulta, Tyrrel i dërgoi disa mostra Almeidës, me shpresën se teknika e saj e mikroskopit do të mund të identifikonte virusin. “Nuk kishim shumë shpresa, por e ndjemë se ia vlente të provohej”, do shkruante Tyrrel në librin e tij “Lufta kundër ftohjes”.

Megjithë kampionin e mangët, zbulimet e Almeidës i kaluan pritshmëritë. Jo vetëm që ajo krijoi imazhe të qarta të virusit, por ajo zbuloi dhe dy viruse të tjera të ngjashëm me të. Njëri krijonte bronkit tek pulat, ndërsa i dyti shkaktonte inflamacion të hepatitis tek minjtë. Ajo i shkroi një raport për të gjitha rastet, por u refuzua nga insitucionet e shëndetësisë. Shqyrtuesit e raportit dolën në konkluzionin se pamjet ishin thjeshtë foto e një cilësie të dobët të grimcave të virusit të gripit sezonal. Por Almeida, ishte e sigurt se kishin të bënin me një grup të ri virusesh.

Almeida, Tyrrell dhe kërkues të tjerë u mblodhën për të diskutuar rreth gjetjeve të reja. Pasi shikuan pamjet ata u habitën nga struktura halore që rrethonte grimcën, dhe vendosën që ta quajnë virusi me kurorë, nga latinishtja Korona. Kështu lindi grupi i koronavirusit.

Almeida u tërhoq nga virologjia në vitin 1985, por mbeti sërish aktive dhe kërkuese. Filloi të jeptë mësime të Yogës, dhe mësoi të punonte qeramikën. Zhvilloi pasionin për antikuaret të cilat ajo i kërkonte anekënd me burrin e saj të dytë Philip Gardner, edhe ky një virolog në pension. Disa vite para se të vdiste, ajo u kthye sërish në spitalin St. Thomas në Londër këtë herë si këshilltare, ku ndihmoi në botimin e disa prej pamjeve të para të cilësisë së lartë të strukturës së virusit HIV, që shkakton sëmundjen SIDA.

Hugh Pennington, profesori i bakterologjisë në Aberdeen University, e kujton kështu mentoren dhe kolegen e tij gjatë punës në spitalin e St. Thomasit: “Pa dyshim që ajo është një nga shkencëtarët më të shquara të brezit të saj, jo vetëm në Skoci por në mbarë botën. Por fatkeqësisht ka mbetur në “harresë”, do shprehej ai gjatë një intervistë për Herald.

Sot studiuesit ende përdorin teknikat e Almeidas për të identifikuar me shpejtësi dhe saktësi viruset. Mbas 56 vjetësh pasi ajo pa për herë të parë një virus me koronë nëpërmjet kompjuterit, puna e saj sot është më e rëndësishme se kurrë ndonjëherë./Mapo.al/