Kosnett: I inkurajova Haradinajn dhe Hoxhajn për veprime konstruktive

Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka takuar ndaras Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Enver Hoxhajn e PDK-së.

Kosnett tha se në takimet me liderët partiakë i ka inkurajuar ata që të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojnë me qeverinë e ardhshme.

“U takova ndaras me liderin e AAK, Ramush Haradinaj dhe me liderin e PDK Enver Hoxha. I inkurajova ata që të veprojnë konstruktivisht në opozitë, të punojnë së bashku me qeverinë në qëllimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi ato partiake. Kosova e para. Politika e dyta”, ka shkruar Kosnett.

Enver Hoxhaj ka thënë se PDK nuk do të marrin pjesë në procesin e votimit të Vjosa Osmanit për presidente, teksa Ramush Haradinaj ka deklaruar se u takon koalicionit qeverisës që të sigurojnë 2/3 e votave për zgjedhjen e presidentit.