Kosova barazon me Rumaninë në “Fadil Vokrri”

Në një mot me shi, fushë të rënduar, por me përkrahje të pashoq të “Dardanëve”, Kosova zhgënjeu sërish.

“Dardanët” dështuan për të shënuar fitore sonte ndaj Rumanisë, në një ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

“Të përzgjedhurit e Alain Giresse barazuan pa gola 0:0 ndaj Rumanisë së vendit të dytë, në një fushë të rënduar nga reshjet e mëdha të shiut.

Ishte ky barazimi i tretë radhazi në këto kualifikime për Kosovën, rezultate këto që e largojnë edhe më shumë nga ëndrra për kualifikim historik në Kampionatin Evropian

Ndeshja nisi qetë, me pak ose fare raste me dy ekipet që nuk arrinin të ambientoheshin në fushën e lagur.

Ishte Florent Muslija që tentoi dy herë të rrezikonte portën mysafire gjatë pjesës së parë, por pa sukses.

E pa sukses ishte edhe një goditje e Bersant Celinës në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Në minutën e 69-të, Kosova arriti të realizonte nëpërmjet Edon Zhegrovës, por më pas goli u anulua nga sistemi VAR për shkak të një pozicioni jashtë loje gjatë aksionit.

Ishte përsëri Edon Zhegrova që tentoi një goditje të fuqishme nga distanca, por porteri rumun bëri një pritje spektakolare.

Edon Zhegrova e dëshmoi natën e tij me një super depërtim, për të pasuar për Vedat Muriqin, i cili gabon krejtësisht nga një distancë shumë e afërt.

Kësisoj, Kosova tani ka tri pikë pas tri ndeshjeve dhe është katër pikë larg Rumanisë së vendit të dytë.

Të hënën, Kosova e zhvillon ndeshjen e radhës, teksa përballet me Bjellorusinë, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në “Puskas Arena” të Budapestit.