Kosova duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur – Hoxhaj tregon arsyet: Është në favor të shoqërisë shqiptare në Ballkan

“Kosova duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur”, kështu ka thënë në intervistë për InDoks, ish-ministri i Punëve të Jashtme njëherit nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, është në interes edhe të Kosovës që jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Unë e shoh dialogun me Serbinë për ta arritë njohjen e ndërsjell, për të përmbyllur shtetësinë tonë. Ballkanin e Hapur e shoh si një platformë për të kriju një bllok homogjenë të shqiptarëve në Ballkan, meqë në pikëpamjen time ekzistojnë tri shoqëri shqiptare paralele, një në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut, për shkak të sistemit politik, për shkak të kohezionit ekonomik për shkak të kohezionit medial dhe kulturor dhe në një kohë kur Ballkani është në një gjendje të statusqous, ku gjërat po qëndrojnë në vend një bllok homogjenë në Ballkan, një ndërveprim brenda për brenda shqiptarë edhe ekonomik, edhe social edhe kulturor, mendoj që do të ishte edhe në interes të Kosovës edhe të Shqipërisë edhe të shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë ai.

Ish-ministri thotë se nuk determinohet sovraniteti i Kosovës me pjesëmarrje ose jo në këtë siç e quan ai “grup formal”.

“Meqë kombi është një kategori historike, politike, emocionale por shoqëritë janë fenomene dinamike dhe një bllok politik shqiptarë do të ishte në interes të Kosovës, Shqipërisë, e Maqedonisë, por e shoh të rëndësishëm edhe bashkëpunimin ekonomik rajonal në një kohë të krizës dhe nuk mendoj që sovraniteti i Kosovës determinohet nga pjesëmarrja apo jo pjesëmarrja në një grup jo formal të shteteve sikurse është Ballkani i Hapur se nuk është as organizatë”, u shpreh ish-ministri për InDoks të Gazetës Insajderi.

Ballkanin e Hapur, deputeti i PDK-së e krahason me G7-ën.

“Për mua si ministër i Jashtëm e bëjë dallimin qartë cka janë organizatat, institucionet multilaterale dhe grupimet joformale. Ballkani i Hapur është sikurse G7 sot. Shtete anëtare që mund të takohen të arrijnë marrëveshje bilaterale, mund të pajtohen mos pajtohen. Për më shumë kam qenë ithtar i asaj që Kosova do të duhej të shkojë në tavolinë ta pyet kryeministrin Rama, Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut të thotë jemi shtet i pavrur dhe sovran dhe kur ulesh në tavolinë e përcakton mënyrën se si trajtohesh”, theksoi Hoxhaj.

Përkundër Hoxhajt që është deklaruar pro Ballkanit të Hapur, të njëjtin qëndrim nuk e ka partia e tij. Madje kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti, që mos ndryshojë qëndrim sa i përket kësaj nisme. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të përfshihet në këtë nismë.