Kosova e mposht Turqinë, dhuron spektakël në ‘Fadil Vokrri’

Vashat e Kosovës në futboll kanë bërë një paraqitje spektakolare në përballje me kombëtaren e Turqisë.

Kosova ka arritur fitore me rezultatin 2:0, para publikut të tyre, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në ndeshjen kundër Turqisë, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet e Evropianit.

Golin e parë në këtë ndeshje e realizoi Modesta Uka, kur po luhej minuta e 33’ e takimit.

Epërsia e kosovareve u dyfishua vetëm gjashtë minutave më vonë, kur Liridona Syla realizoi pas një goditje nga këndi dhe dalje të pasigurt të portieres turke.

Por, edhe anash dy golave të shënuara, ishte loja e bukur me pasime të shkurtra dhe lëvizje interesante individuale, ajo që kënaqi tifozët e Kosovës.

Kjo fitore është historike për vashat e Kosovës, pasi vije qysh në ndeshjen e parë kompetitive.

Pas xhiros së parë në grupin A, Kosova renditet në vendin e dytë, me tri pikë, aq sa kanë edhe Holanda dhe Rusia, por ‘tulipanet’ regjistrojnë goldiferencë prej 7:0, kurse ruset mbesin pas Kosovës, me fitoren minimale 1:0.