Kosova me tre kryeministra (në detyrë) brenda një viti

Në Kosovën e pavarur asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje qendrore të rregullta.

Më e jashtëzakonshme se kaq është se asnjëherë më parë as nuk kishte ndodhur që brenda një viti qeveria të drejtohej nga tre kryeministra.

Kjo ngjau më 2020.

Fillimi i vitit në zyrë e gjeti Ramush Haradinajn duke kryer detyrën e kryeministrit, pasi që më 19 korrik të vitit paraprak kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Kosovarët po shkonin para kohe drejt kutive të votimit edhe një herë.

Zgjedhjet u mbajtën.

Më 6 tetor 2019, rezultati e nxori fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

Negociatat e saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës po ia zgjatnin Haradinajnt qëndrimin në krye të ekzekutivit duke mos qenë fuqiplotë.

Stina e dimrit kishte kaluar, ndërkaq pranvera po rrinte në një këmbë ta vishte natyrën me blerim.

Trokiti marsi!

“Ngricat” mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës po shkriheshin.

Pas afër pesë muaj bisedime-bisedime, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK gjetën gjuhën e përbashkët.

Marrëveshja mes tyre u arrit.

Albin Kurti më 5 mars u zgjodh kryeministër vendi.

Ai mori detyrën nga Behgjet Pacolli si zëvendëskryeministër i parë në qeverinë pararendëse, pasi që Haradinaj s’kishte qëlluar në vend atë ditë.

Puna nisi.

Por ajo që mëtohej – bashkëqeverisja me LDK-në përtej një mandati s’kishte të ngjarë të ndodhte. Jo dy mandate (4+4), por as pa u bërë dy muaj ato u ‘divorcuan’.

LDK inicioi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë pjesë e së cilës ishte, pasi që Kurti ia kishte shkarkuar Agim Veliun pa paralajmërim nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Një “Po sigurisht” që ai e tha në pyetjen “A e përkrahni shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme?” në të cilën po këmbëngulte Hashim Thaçi si President i Kosovës, ishte e pakapërdishme për Kurtin.

Megjithë thirrjet nga partneri që Qeveria të mos rrëzohej në mes të përballjes me pandeminë, Kurti s’po revokonte vendimin e tij.

Kuvendi u mblodh më 25 mars pas thirrjes së mocionit.

Bashkë me PDK, AAK, Nisma dhe partitë tjera LDK rrëzoi Kurtin me mbi dy nga tri hise të deputetëve.

82 votat kundër, e zhvendosen Kurtin nga “Kryeministër” në “Kryeministër në detyrë”.

Pas vetëm 52 ditëve cikli po përsëritej.

I takonte LDK-së që si e dyta që kishte dalë në zgjedhje ta mbante bajrakun që ta formonte shumicën që të krijoheshin institucionet e reja.

Pajtueshmëria u gjet më shpejt sesa më Vetëvendosjen. AAK, Nisma dhe Lista Serbe ranë dakord që të bëheshin pjesë e ekzekutivit.

Avdullah Hoti i LDK-së, ishte i nominuari i përbashkët i tyre për kryeministër. Ai po kërkonte besimin e deputetëve për t’u bërë kryeministri i pestë i Kosovës së pavarur.

Hashim Thaçi si president lëshoi dekretin. Hoti nuk hezitoi sikur Kurti, zëvendës i së cilit ishte në qeverinë e “Koalicionit të Shpresës”.

Ai e pranoi atë.

Kuvendi u thirr.

U votua qeveria e re e Kosovës e cila me vota ishte në zgrip, duke numëruar vetëm 61 sish.

Edhe këtu, nuk ishte kryeministri paraprak që po dorëzonte pozitën tek pasuesi. Këtu këtë s’e bëri as zëvendëskryeministri.

Albin Kurti kishte refuzuar që t’ia dorëzonte postin Avdullah Hotit, duke pohuar se s’mund ta bënte këtë te dikush që e kishte shkarkuar vet.

Hoti mori “vet” detyrën.

Me të ardhur në zyrë ai veproi, duke hequr reciprocitetin me Serbinë, që ishte bërë mollë sherri për negociatat.

Pas afër 20 muajsh pezullimi të këtij procesi, Hoti u ftua në Bruksel ku u zhvillua takimi me palën serbe.

Për 201 ditë ai ushtroi këtë pozitë, duke marrë vendime e duke nënshkruar marrëveshje. Më e rëndësishmja ajo e 4 shtatorit në SHBA.

Sapo kishte mbushur gjashtë muaj në krye të qeverisë, Hotit iu kumtua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës se ai s’ka qenë zgjedhur kryeministër më 3 qershor.

Vota e deputetit Etem Arifi u shpall e pavlefshme për shkak se ndaj tij kishte një vendim të plotfuqishëm të gjykatës për dënim me burgim. Kjo para se të mbaheshin zgjedhjet.

Aktvendimi i Kushtetueses theksonte se Qeveria Hoti është qeveri në detyrë, duke u kërkuar mbajtja e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në afat prej 40 ditësh nga shpallja e tyre.

Më 21 dhjetor Hoti mbeti kryeministër në detyrë. Ai pas Haradinajt dhe Kurtit, është i treti që brenda vitit 2020 bartë këtë epitet.

Megjithatë diku në botë kishte përtej kësaj.

Në vitin 2020 ka qenë Iraku që brenda 10 javësh ka ndërruar tre kryeministra.Klan Kosova