Kosova nesër mban zgjedhjet e shtata komunale që nga paslufta

Nesër Kosova voton.

Duke filluar nga ora shtatë e mëngjesit deri në shtatë të mbrëmjes, qytetarët do të mund të votojnë në zgjedhjet e shtata komunale që nga paslufta.

Deri më sot në Kosovë janë mbajtur gjashtë cikle të zgjedhjeve komunale.

Klankosova.tv ju sjell disa të dhëna mbi proceset e zgjedhjeve komunale të mbajtura deri tash në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet e para komunale nga paslufta janë mbajtur më 17 nëntor të vitit 2000. Në këto zgjedhje votuesit mund të zgjedhnin subjektin dhe vetëm një kandidat për Asamble Komunale.

Ani se zgjedhjet komunale mbahen çdo katër vjet, të dytat pas vitit 2000 u mbajtën hiç më larg se më 26 tetor 2002, por kësaj radhe lista ishte e mbyllur dhe votohej vetëm subjekti.

Këto dy palë zgjedhje përcaktonin Kuvendin Komunal, por jo edhe kryetarin e komunës.

Megjithatë, nga viti 2007, konkretisht më 17 nëntor, kur u mbajtën zgjedhjet e treta komunale lista zgjedhore ndryshoi duke e futur edhe zgjedhjen e kryetarit drejtpërsëdrejti, lista ishte e hapur dhe po ashtu votuesit kishin të drejtë të votonin deri në dhjetë kandidatë për asamblistë.

E nga ky vit u bë edhe një përditësim tjetër duke u përdorur sistemi zgjedhor mazhoritar, apo “Sistemi me dy raunde”, që do të thoshte se për të qenë kryetar komune duhej të kalonte 50 përqindëshin e votave, përndryshe do të shkonte në balotazh me të dytin për nga numri i votave për t’u përcaktuar fituesi.

Kjo bëri që për herë të parë komunat të shkonin në balotazhe të cilat u zhvilluan më 8 dhjetor të po të njëjtit vit.

Në këtë vit, 612,513 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar, apo 39.07 përqind e atyre që kishin të drejtë votimi në 30 zona zgjedhore.

Vazhda e përditësimit të proceseve zgjedhore ndodhi edhe më 2009, kur u mbajtën zgjedhjet e katërta komunale që nga paslufta, me datën 15 të muajit nëntor, ku qytetarët mund të zgjedhnin një subjekt dhe vetëm një kandidat.

Zgjedhjet komunale të vitit 2009 u karakterizuan me shumë ngjarje që sollën raunde të dyta, përsëritje të zgjedhjeve në disa komuna si dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, me vendime të organeve ligjvënëse.

Përsëritje të procesit zgjedhor pati në disa komuna, si Prizren, Lipjan, Gjilan, Istog, Rahovec, Ferizaj dhe Kaçanik.

Deri në këtë vit KQZ llogaritej të ketë organizuar zgjedhje për një muaj rresht, duke llogaritur edhe të jashtëzakonshmet dhe të përsëriturat.

Rahoveci, Ferizaj dhe Kaçaniku u detyruan të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë viteve 2010-2012.

3 nëntori i vitit 2013 ishte data për mbajtjen e zgjedhjeve të pesta komunale në Kosovën e pasluftës.

Në këto zgjedhje votuan 830,832 qytetarë, apo ndryshe 46.34 përqind e popullsisë.

Kësaj here pati përsëritje të pjesshme të ciklit zgjedhor, konkretisht në zonat e banuara me serbë ku përfshihej Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Parteshi.

Zgjedhjet për kuvendin e gjashtë komunal u mbajtën më 22 tetor 2017, me 204 kandidatë për kryetar komune.

Numri i votuesve

Në vitet në vijim numri i votuesve vazhdonte të rritej, sidomos gjatë viteve 2000-2007 ku numri i votuesve u rrit për 72 përqind.

Kjo u bë për shkak të futjes në sistem të votuesve.

Në vijim shohim një krahasim të numrit të votuesve me vitet 2000 dhe 2014 në disa komuna.

Gjakovë:

2000 – 55,529 votues

2014 – 107,425 votues

Gjilan:

2000 – 52, 413 votues

2014 – 94,268 votues

Mitrovicë:

2000 – 44,802 votues

2014 – 72,506 votues

Pejë:

2000 – 54,060 votues

2014 – 103,078 votues

Prishtinë:

2000- 110,400 votues

2014 – 172,143 votues

Prizren:

2000 – 85,371 votues

2014 – 156,427 votues

Ferizaj:

2000 – 57,724 votues

2014 – 100,245 votues

Ecuria e zgjedhjeve në Kosovë është përmirësuar proces pas procesi, sidomos pas marrjes në përgjegjësi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vitin 2008, pasi deri në atë vit zgjedhjet organizoheshin nga OSBE-ja dhe UNMIK-u.