Kosova pëson humbje të thellë nga Çekia

0
309
Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të turneut që po mbahet në Side të Antalya të Turqisë, ku ka pësuar humbje nga Çekia, me rezultat të thellë 0:8.
Para ndeshjes, anëtarja e KE dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave, znj. Vjollcë Krasniqi e ka përshëndetur ekipin tonë kombëtar dhe u ka shprehur gatishmërinë e FFK-së, te presidentit Ademi dhe vet asaj për një përkrahje të madhe dhe të vazhdueshme të futbollit të femrave dhe ngritjen e kapaciteteve të ekipeve kombëtare.
Vajzat e Kosovës, që në këtë turne po marrin pjesë me një moshë më të re se rivalet, në ballafaqim me futbollistet e Çekisë, të cilat jo vetëm që janë në moshë më të vjetra por këto janë edhe të kualifikuara për rrethin elitë të Evropianit, treguan aq sa ua lejoji forca aktuale.
Në radhët tona u vërejt mungesa e forcës fizike dhe e përvojës, gjë që kërkohet shumë punë për të arritur deri te rezultatet dhe sukseset. Humbja e thellë prej 8:0 kundër Çekisë, ku as gjyqtaret nuk ishin në nivelin profesional, ku akorduan madje 4 penallti, vajzave të Kosovës duhet t’u shërbejë si motiv e assesi zhgënjim për ndeshjet tjera dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre. Ishin vetëm 10 minutat e parë të ndeshjes kur futbollistet tona qëndruan mjaft mirë ndaj kundërshtareve shumë më cilësore dhe më pastaj nis seria e golave.
Kombëtarja U19 ndeshjen tjetër e zhvillon më 2 mars kundër Polonisë edhe kjo bashkë me rivalin e fundit Hungarinë janë kombëtare që janë kualifikuar për rrethin elitë.