Kosova shpreson të përfaqësohet me 12 sportistë në Lojërat Olimpike në Tokio

Kosova shpreson që të përfaqësohet nga 12 sportistë në Lojërat Olimpike Verore që zhvillohen në Tokio të Japonisë nga 23 korriku deri më 8 gusht.

Pak ditë para nisjes për në Tokio, Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin. Krasniqi konfirmoi se deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e dhjetë sportistëve nga Kosova duke përfshirë pesë xhudistë, një mundës, dy notarë, një nga atletika dhe një nga sporti i shigjetarisë.

Lojërat Olimpike Verore në Tokio, ishin paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por shfaqja e pandemisë, bëri që mbajtja e tyre të shtyhej.

Për ekipin Olimpik të Kosovës, këto do të jenë Lojërat e dyta Verore, pas debutimit në Brazil në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Në këto gara Kosova mori pjesë me tetë sportistë, ku medaljen e parë të artë për Kosovën e siguroi xhudistja, Majlinda Kelmendi.