Kosova vendi më i varfër në Evropë, Gërxhaliu: Haradinaj izoloi vendin me taksë – përfitoi Serbia

Kosova është ndër vendet më të varfura në Evropë dhe lidhur me këtë problemi kyq shihet papunësia dhe varfëria.

Lidhur me situatën ekonomike në Kosovë, njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar shpesh se taksa ndaj Serbisë ka ndikuar negativisht.

Kosova ka pasur një rritje ekonomike prej 4.2 për qind, por sipas ekspertëve të ekonomisë kjo nuk është e mjaftueshme dhe jo fort e qëndrueshme.

Mungesa e investitorëve të huaj dhe mungesa e infrastrukturës investuese në Kosovë po e pengojnë zhvillimin ekonomik, shkruan lajmi.net.

Për të diskutuar në lidhje me situatën ekonomike në vend, taksën 100 për qind, rritjen ekonomike, Mini-Shengenin si (pa)mundësi ekonomike e politike dhe çështje të tjera, lajmi.net ka zhvilluar një intervistë me ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Intervista e plotë:

Lajmi:net: Si e keni parë qeverisjen pothuajse dy vjeçare të z.Haradinaj, dështimet, sukseset, ngecjet, por edhe vitin që po e lëmë pas?

Safet Gërxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptohet se do të kisha qenë njeriu më i lumtur sikur sot të kisha mundësi t’i shpalosë sukseset e qeverisjes së z.Haradinaj. Mirëpo ajo çfarë ka bërë z.Haradinaj në Kosovë dhe kundër Kosovës nuk e besoj se do të mund të bënte dikush. Një shteti që ia shkatërron ekonominë, edukimin, një shteti që ia humb ardhmërinë dhe e izolon dhe e shndërron në një vend nga i cili iket – këtë e ka bërë në mënyrë perfide z.Haradinaj duke u bazuar gjithmonë në ngritjen e popullzimit, duke e humbur kohën shumë më tepër në arsyetimin e dështimit sesa në gjetjen e rrugës për të dalur nga dështimet. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se ky model është ai model i cili do të mësohet në aspektin e diplomacisë dhe administratës publike se si nuk duhet të qeveriset vendi. Nga kjo, brenda më e madhe është se aspekti ekonomik është në gjendjen më të vështirë që nga viti 1999 por edhe më tepër nga kjo rrjedh se është utopike të mendohet stabiliteti ekonomik, social, përshpejtohen proceset integruese është e pamundur të ndryshoj imazhi i krijuar për atë shtet, por duhet të anëtarësohet edhe në aspektin psikologjik ku rinia është duke ikur me të madhe dhe për këtë duhet të japë një qeverisje e cila ka filluar tash e 5 vite ku Haradinaj me kokëfortësinë ndaj demarkacionit e getizoi shtetin, e izoloi rininë dhe në këtë drejtim sot nuk i bëhet nder që të jemi vendi më i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë dhe kjo mësohet se sa është e rëndësishme që në pozita shtetërore të jenë njerëz të dijshëm dhe me vlera. Nuk jetohet me patriotizmin e së kaluarës, neve na duhet një ardhmëri dhe ardhmëria e Kosovës është sundimi i ligjit, edukimi, shëndetësia dhe partneriteti me vendet fqinjë dhe në këtë drejtim duke tentuar ta hijeshojë të kaluarën e ka shkatërruar ardhmërinë dhe nuk duhet habitur sot që gëzimi më i madh i të rinjve nga Kosova është largimi prej vendit dhe kjo nuk do të thotë që është vetëm gjenerim i stresit, por për rininë e Kosovës është edhe humbja e besimit në ardhmëri. Para disa ditësh e lexova një libër dhe nënvizova një thënie: “Nëse lejon të të prijë djalli, harroje parajsën”, dhe vendi ynë është aty ku të gjithë e kanë harruar aromën e parajsës.

Lajmi.net: Cili është mendimi juaj për taksën?

Safet Gërxhaliu: Një vend që e ka këtë trend të shkallës së papunësisë, një vend që ka rënie të investimeve të huaja, një vend që në këtë periudhë kohore ka dështuar në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, një vend i cili nuk ka disiplinë financiare dhe i ka të prishura raportet me FMN-në është shqetësimi më i madh që duhet të na brengos. Sa i përket taksës është e vërtetë që kam qenë kundër sepse ekonomia liberale nuk lejon barriera të tilla. Qëndroj pas fjalëve të mia se ka qenë vendim populist për kampanjë zgjedhore por për fat të mirë në këto zgjedhje u vërtetua se populli ndëshkon. Kur bisedohet për taksën e kam elaboruar në disa dimensione, në dimensionin politik, ekonomik, social dhe psikologjik. Vërtetë në aspektin ekonomik ndihma më e madhe që iu ka bë Serbisë nga Kosova është kjo taksë që ka arritur të gjithë miqtë e Kosovës t’i kthejë kundër saj. Serbia këtë në mënyrë profesionale e ka promovaur si një vendim që nga një agresor po bëhet si viktimë. Përkundër asaj që shumë kush ia ka rrahur krahët z.Haradinaj, ai u ndëshkua me votë dhe po shihet që është vendim i gabuar. Shpresoj që në të ardhmen ai ta kuptojë se çfarë do të thotë inflacion, shporta e konsumatorit, ngritja e çmimeve për konsum, konkurentshmëia, eksporti, importi sepse masat e tilla mund të analizohen nëse analizojmë a kemi rritje të eksportit dhe ulje të importit dhe në Kosovë ka ndodhur paradoksalisht e kundërta, kemi rritje enorme të importeve dhe nivel jo të dëshiruar të eksporteve. Sepse Kosova nëse ka ndaluar 400 milionë të hyra nga Serbia këtë mall e ka paguar 500-600 milionë dhe Kosova është shndërruar ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë. Sot jo vetëm që nuk kemi rritje të eksportit, por ka rënë edhe eksporti në Shqipëri sipasojë e pengimit të marrjes së lëndëve të para nga Serbia dhe kjo pamundëson të ketë produkte “Made In Kosova”. Në këtë drejtim më habit fakti që dikush e promovon si sukses, si hapje e vendeve të punës, por indikatorët e tregojnë si një vendim të dëmshëm. Është e vërtetë që nuk pajtohem me atë që promovohet se Kosova ka rritje ekonomike 4 përqind, Kosovës i duhet rritje substanciale që të ketë investime të huaja direkte, që në Kosovë të ketë vende të reja të punës, rritje të eksorteve, firma nga Kosova të kontraktojnë punë në vende të huaja, kjo 4.2 për qind është e barabartë me 0.5 përqind sepse rritet vetëm një indikator dhe është rritja e konsumit falë parave që vijnë nga diaspora dhe besoj që Kosova është izoluar falë kësaj takse sepse sot nuk ke dialog dhe adresim të problemeve dhe kjo e ka getizuar edhe më tepër Kosovën dhe në aspektin psikologjik po e shihni imazhin e Kosovës kudo në botë duhet të kuptohet se duhet të jemi shumë më aktiv të promovojmë Kosovën si vend i mirë për investime por nëse promovojmë barriera të tilla do të jetë e pamundur sepse investitorët e huaj e shohin Ballkanin si tërësi sepse të gjitha jemi vende të vogla dhe besoj ajo që e ka bërë taksa është enorm negative edhe pse për këtë qëndrim timin kam pasur kërcënim me jetë, në momente të caktuara edhe kryeministri më ka quajtur matrapaz, por do ta them se nuk është me rëndësi çfarë thotë, por kush e thotë, para disa ditësh e lexova se termi matrapaz nënkupton personin që atë që është mirë e bën keq dhe atë që është keq e bën mirë dhe këtë nuk e kam bërë unë, e kanë bërë ata dhe nuk jam i vetmi që më quan kështu. Zhvillimi i Kosovës është ekonomia e mirëfilltë e bazuar në rend dhe ligj. Por për mua termi matrapaz për mua ka kuptim tjetër, unë matrapaz e quaj atë që e vjedh shtetin, që e shkatërron edukimin dhe shëndetësinë, që në kabinete të veta mbledh bashkëthemelues të partive të Millosheviqit dhe atë që e zbraz Kosovën.

Lajmi.net: Çfarë mendoni ju për nismën e Mini-Shengenit?

Safet Gërxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptohet se ideja për Mini-Shengen nuk është as ide e Vuçiqit e as e Edi Ramës, është iniciativë e mbështetur nga katër presidentët e Ballkanit në kohën e Fatmir Sejdiut dhe në këtë drejtim po e shohim se dikush tenton ta monopolizojë si ide të vetën. Nga dimensioni kohor duhet të ndahen tri etapa, e para termi Mini-Shengen, e dyta refuzimi i masakrave të Vuçiqit në Reqak dhe raportet politike të z.Rama me z.Haradinaj dhe nëse ne do ta bëjmë një vorbull ku do t’i hudhim të gjitha së bashku do të kemi një qasje e cila është shumë më tepër e mbështetur me një eufori politike, popullizëm nga dimensioni kohor sesa realitet. Nëse mendojmë për ardhmërinë e Kosovës, Kosova duhet të marrë pjesë në nisma të ndryshme dhe të argumentoj qëndrimet e saj por qëndrimet e saj duhet të bëhen nga njerëz të duhur. Në këtë drejtim nuk duhet të humbet kohë duke i fajësuar të tjerët por duhet ta marrim drejtimin në duart tona, prandaj politika refuzuese ndaj iniciativa të të tilla është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës. Prandaj është koha kur vlerat intelektuale, studimi i fizibilitetit dhe arsyehsmëria të dominojnë me argumente dhe ato argumente të paraqiten atje, nuk është gjithmonë strategji tërheqja. Mendoj se në aspektin ekonomik është një mundësi, në aspektin politik duhet të studiohet, por refuzimi është vetvrasje për ardhmërinë e Kosovës sepse nëse jo sot, nesër do të jetë realitet.

Lajmi.net: Si e vlerësoni punën e Ministrit të Financave dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik?

Safet Gërxhaliu: Defenitivisht i kam analizuar dhe kam raporte shumë të mira me këto ministri, janë të një rëndësie të pakontestuar substanciale, ndoshta fati më i madh që në këto dy poste i kemi pasur z.Hamza dhe z.Lluka që kanë kontribuar shumë, por duhet të kuptohet se nëse një shteti i prinë dreqi atëherë duhet të harrohet parajsa dhe në këto kushte nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën e tyre, veçanarisht në atë të z.Hamza i cili shumë më tepër ka investuar energji të mbrohet nga çmenduritë e shpërndarjes së parasë publike sesa në performancën e tij dhe në këtë drejtim ndoshta falë një angazhimi dhe përkushtimi të z.Hamza kemi një stabilitet makrofinanciar por të kesh punë me një politikë e cila i faktorizon grupet e caktuara të interesit është shumë e vështirë, të kesh punë me dikë që mendon se mbi interesat e shtetit janë më pak të rëndësishme se ato politike, por duhet të dimë se udhëheqja e shtetit kërkon shumë më shumë përkushtim sesa çështjet politike sepse shteti përmban shumë më shumë përgjegjësi sesa partia politike.

Lajmi.net: Kosova po përballet me kontrabandën, ekonominë informale dhe dukuri të ngjashme, pse mendoni se po ndodh kjo?

Safet Gërxhaliu: Është e vërtetë që mund t’i identifikojmë të gjitha problemet dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia e Kosovës por emëruesi i përbashkët është sundimi i rendit dhe i ligjit, por për këtë në Kosovë shumë më tepër flitet sesa që bëhet dhe si mund të kemi do të thotë ulje të ekonomisë së kriminalizuar nëse vet politikanët kosovarë janë partnerë me struktura paralele serbe që janë bartës së ekonomisë së kriminalizuar, si mund të ketë luftë kur akterë të politikës janë pjesë e saj dhe duhet të dihet se brenga më e madhe në Kosovë sot është se është më e lehtë të merresh me ekonomi të kriminalizuar sesa ta luftosh atë. Nëse nesër unë takohem me Vuçiqit do të jem në gjithë portalet kosovare si një ftyrë e zezë e Kosovës, por nëse një kryeministër takohet me kriminel të tipit Radojiçiq është normale dhe derisa e kemi këtë çasje që ilegalja është më normale sesa transparentja atëherë është vështirë të dilet nga kjo situatë. Kthehemi përsëri te taksa nëse diçka ka lulëzuar pas saj është mu ekonomia e kontrabanduar dhe kriminalizuar. Ta bëjmë një analizë, a ka rritje të çmimeve të importeve nga Serbia? Nuk ka! A ka produkte të Serbisë nëpër treg? Ka! Atëherë nga kanë hyrë këto produkte? Në këtë drejtim, vlerën prej 400 milionë, qytetarët e Kosovës e kanë paguar 600 milionë, dhe sot jemi në këtë vend ku jemi ndër vendet më të varfura në Evropë.

Lajmi.net: Çfarë duhet të bëjë Kosova ta ndryshoj trendin e deritanishëm në aspektin ekonomik?

Safet Gërxhaliu: Është e pamundur të mendohet se dalja nga situata bëhet me shkop magjik. Shpresoj që partitë fituese t’i bëjnë institucionet dhe qeveria që të vijë të mos mendojë se do ta ketë të lehtë. Në këtë drejtim suksesi më i madh i secilës qeveri që do të vijë është jo përmirësimi i gjendjes por ndalja e të keqës dhe mendoj se duhet të mbështetet cilado qeveri dhe mendoj se nëse nuk ka sundim të rendit dhe ligjit, ardhmëria do të jetë e zymtë. Sepse nëse nuk ka sundim të renit të ligjit nuk do të kemi ekonomi të mirëfilltë, siguri, edukim dhe besoj se dikush mendon që Kosovës t’ia dëshirojë një ardhmëri më të mirë është të arrihet sukses në sundimin e rendit dhe ligjit.