Në mes të SHBA-ve dhe BE-së, cili do të jetë orientimi i qeverisë Hoti?

Kohëve të fundit në diskursin politik në Kosovë është futur një ndarje në rrafshin e orientimit strategjik të Kosovës karshi partnerëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Evropian?

Në njërën anë, ishte ish-kryeministri Kurti ai i cili në shumë çështje nuk pajtohej me të Dërguarin Special të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell e në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk pajtohet me Lajçak e Borell si dy të angazhuarit në dialog e që vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.

Me vonesat në heqjen e tarifave doganore prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe me vendosjen e reciprocitetit, ish-kryeministri Kurti humbi bashkëpunimin me SHBA-të, ndërsa BE ishte përkrah Kurtit.

E këto zhvillime në qeverinë Kurti, ishin ndër arsyet që Lidhja Demokratike e Kosovës doli nga koalicioni dhe rrëzoi qeverinë me mocionin e mosbesimit.

Tani, që LDK-ja e ka kryeministrin dhe udhëheq me qeverinë, cili do të jetë orientimi i Hotit dhe Kosovës karshi partnerëve ndërkombëtarë?

Vet kryeministri Hoti është shprehur se ai dhe qeveria e tij nuk do të bëjnë gabimin e zgjedhjes ose-ose midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Nuk do të bëjmë gabim të zgjedhim në mes SHBA-së dhe Evropës. Nuk do ta bëj gabimin që të themi se jemi me atë apo këtë. Ne jemi me të dyjat. Mirëpo nuk do të hyjmë as pa rolin e Uashingtoni. Ka një interesim të jashtëzakonshëm nga Uashingtoni për ta kryer marrëveshjen”, është shprehur Hoti.

Analisti Imer Mushkolaj shprehet se kjo ndarje është bërë për interesa të brendshme politike.

Ai thotë se asnjë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet pa dakordimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe këtë gjë sipas tij e dijnë edhe “ideatorët dhe përkrahësit e kësaj ndarje”.

“Kjo ndarje është bërë më shumë për interesa të brendshme politike për shkak se edhe ata ideatorët e kësaj ndarje edhe përkrahësit e dinë saktë se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk mund të arrihet nëse mes SHBA-së dhe BE-së nuk ka njëfarë dakordimi. Kështu që është për konsum të brendshëm politik dhe unë besoj që qeveria e re duhet të ketë qasjen edhe BE edhe SHBA-të sepse ndryshe nuk mundet me funksionu. Edhe duke dëgjuar presidentin tek kritikon Lajçakun, prap po them se është për poena politik dhe nëse BE e SHBA-të nuk pajtohen për këtë nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi”, tha Mushkolaj për lajmi.net.

Mushkolaj thekson madje se, proklamimi i një ndarje të tillë dhe kjo qasje është në dëm të Kosovës.

“Ne si vend jemi pjesë e Evropës, synojmë Bashkimin Evropian, natyrisht SHBA-të e kanë rolin shumë të madh edhe në shtetformimin e Kosovës, por përsëri po them se duhet të ketë pajtim midis SHBA-ve dhe BE-së të arrihet marrëveshja, çdo qasje tjetër është në dëm tonin”, tha ai.

Duke folur për rinisjen e dialogut, Mushkolaj shprehet se gjithë kriza politike në Kosovë ka ndodhur në funksion të krijimit të kushteve për rinisjen e dialogut.

Ai shton se pavarësisht kësaj, çështja varet edhe nga angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Gjithë kriza politike e shkaktuar në Kosovë ka ndodhur pikërisht me qëllimin e rinisjes së dialogut dhe vazhdimi i dialogut, respektivisht, vazhdimi i procesit është rrjedhë logjike e gjithë asaj që ka ndodhur, unë pres që dialogu do të rifillojë por nuk e di nëse do të mund të arrihet një marrëveshje gjatë këtij viti. Varet shumë nga angazhimi i SHBA-ve, sidomos pas zhvillimeve atje dhe në situatën kur shpejt fillon fushata zgjedhore për president”, theksoi Mushkolaj.

Mushkolaj krejt në fund shprehet se ndikim mund të ketë edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e dialogut.

“Por, kjo varet shumë edhe nga pajtimi i palëve, në këtë rast i Kosovës dhe i Serbisë, për fat të keq Kosova në procese të tilla nuk ka pasur asnjëherë rol vendimmarrës, Kosova është pajtuar gjithmonë me propozimiet e SHBA-ve dhe BE-së dhe ndonjëherë edhe me propozimet e Serbisë, kështu që Kosova nuk është faktor për fat të keq, por besoj që Kosova është e gatshme kur është e gatshme, SHBA, BE dhe Serbia”.

Në anën tjetër edhe Richard Grenell edhe i dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak kanë paralajmëruar bashkëpunim të menjëhershëm dhe rinisje të shpejtë të dialogut.

Grenell në urimin e tij për formimin e qeverisë shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re të Kosovës, ndërsa Lajçak ka paralajmëruar vizitë në Kosovë e Serbi gjatë muajit qershor duke përmendur edhe një “rinisje të shpejtë të dialogut”.