Kosova zyrtarisht aplikon për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Republika e Kosovës edhe zyrtarisht tashmë ka aplikuar për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe” me seli në Strasburg të Francës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aplikimin zyrtar në këtë organizatë e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nëpërmjet një video-mesazhi vetëm pak kohë pasi Qeveria e Kosovës miratoi në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë e cila e obligonte ministrinë për finalizim të procedurave.

“Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri i për Kosovën në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës të Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik, më pro-evropian dhe më optimist në rajon prandaj Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës një ditë e më parë”, theksoi Gërvalla e cila shtoi se nga ky proces do të forcohen të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Pas aplikimit të ministres Gërvalla, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili konsideroi se me këtë Prishtina zyrtare ka shkelur “brutalisht” Marrëveshjen e Washingtonit, Marrëveshjen e Brukselit dhe Rezolutën 1244.

Vuçiq tha se pas këtij aplikimi qëndrojnë vendet kryesore perëndimore, por, megjithëkëtë, shtoi se do të bëjnë gjithçka për t’iu kundërpërgjigjur politikisht veprimit të Kosovës.

“Kështu Prishtina ka treguar se ka bërë një shkelje tjetër, marrëveshjen e Washington-it e kanë shkelur brutalisht. Nuk shqetësohen për asgjë. Pas gati dhjetë vjetësh që kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit, tani e kanë shkelur marrëveshjen e Washington-it. Rezolutën 1244 nuk e kanë respektuar as ata e as mentorët e tyre. Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, tha Vuçiç.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.

Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.