Kosovës i kërkohet që të vë këto kushte për rikthim në dialog me Serbinë

Kosova dhe Serbia më 27 qershor do të rikthehen në tavolinën e bisedimeve pas dy viteve pauzë. Mirëpo kjo po kërkohet të mos ndodhë derisa Serbia nuk ka dhënë përgjigje për fatin e 1641 personave që ende janë të zhdukur gjatë luftës.

Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, Këshilli koordinues i familjarëve të personave të zhdukur, Shoqata për hulumtime dhe fatet e personave të pagjetur, si dhe familjarë të personave të zhdukur, vlerësojnë se Kosova kusht për kthimin në bisedime duhet ta ketë fatin e të pagjeturve.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, thotë për KosovaPress, se çështja e personave të zhdukur duhet të jetë prioritet në dialog.

“Çfarëdo dialogu i mundshëm ose në çfarëdo mënyre që mendohet të trajtohet ose çdo përpjekje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të ndërtoj një të ardhme të qëndrueshme në mes dy vendeve, pashmangshëm duhet të trajtoj edhe çështjen e trashëgimive nga e kaluara, në këtë raste çështjen e personave të pa gjetur dhe çështjet tjera. Kërkesa e komisionit Qeveritarë është që çështja e personave të zhdukur të jetë çështje prioritare për institucionet e Kosovës”, thotë ai.

Ai thotë se rritja e presionit mbi Serbinë do të sillte rezultate.

“Në raporte me fajin për këtë ngecje vazhdon të mbetët Beogradi zyrtar, për shkak se gjithmonë prej familjarëve edhe nga ne si zyrtarë është thënë se zgjidhja e kësaj problematike mbetët në arkivat e Beogradit zyrtar. Me pak më shumë presion ndaj Serbisë, ne do të kemi më shumë rezultate”, deklaroi ai.

Mendim të njëjtë ndan edhe kryetari i Këshillit koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci.

“Kushti i parë në dialog për Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare është çështja e të zhdukurve, me një trysni të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia brenda 24 orëve, të gjithë trupat e shqiptarëve që i ka marrë të gjallë dhe i ka quar në Serbi do t’i gjejë, sepse ajo është përgjegjës. Ne çka kemi në Kosovë që nga viti 1999 e deri më sot të gjithë i gjetëm, por ata që i mori të gjallë dhe i dorëzoj në Serbi dhe sot nuk janë, ajo është përgjegjëse, jo ne”, thotë Grajqevci.

Duke kërkuar mos rifillim të dialogut pa zbardhjen e personave të zhdukur, Grajqevci paralajmëroi protesta për një gjë të tillë.

“Do të diskutojmë edhe me institucionet më të larta të shtetit brenda javës, që të bëhet trusni, që pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur mos të filloj fare dialogu….Paralajmërojmë protesta nëse nuk merret një vendim për çështjen e personave të zhdukur…Kërkojmë nga Qeveria re të formoj një departament për çështjen e personave të zhdukur dhe krimeve të luftës, duke përfshirë, personat e zhdukur, krimet e luftës, femrat e dhunuara të gjitha”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Haki Kasumi nga shoqata për hulumtime dhe fatet e personave të pagjetur, si fajtor për moszbardhjen e fatit të personave të zhdukur e lë Serbinë.

“Nga këndvështrimi jonë si aktivistë dhe familjarë nuk është bërë sa duhet, jemi shumë të bindur se ka mundur të bëhet shumë më tepër dhe në një farë mënyre të mbyllet kjo plagë e cila ka mbetur e hapur dhe kullon gjak edhe sot e kësaj dite pas 21 vite…Fajtor kryesor është Serbia e cila ka bërë agresion jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Republikën e ish Jugosllavisë derisa tash paraqitet si viktimë. Adresa e vetme dhe kryesore e të gjitha të dhënave është Beogradi, Serbia dhe Qeveria aktuale e cila për fat të keq përbëhet në shumicë prej bashkëpunëtorëve të ish kriminelit të Ballkanit Perëndimorë Millosheviqit”, thotë Kasumi.

Sa i përket rifillimit të dialogut, ai shtoi se ky i fundit duhet të vazhdojë, ngase sipas tij, është e vetmja zgjidhje në kohë paqe.

“E deshëm ne nuk e deshëm, dialogu duhet të vazhdoj ngase shtyhet dhe kërkohet nga Bashkësia Ndërkombëtare por ekipet tona të cilat angazhohen në dialog me Serbinë duhet të jenë profesionale, të përgatitura dhe të konsultohen me këshillin koordinues dhe shoqatat të cilat për fat të mirë janë të shumta dhe janë të pa eksploruara nga qeveritarët tanë të deritashëm. Duhet biseduar nga se është e vetmja mundësi në kohë paqe, gjithashtu duhet definuar se cilat duhet të janë kërkesat elementare e që janë të mbështetura dhe të arsyeshme. Të jepet informatë me shkrim për fatin e secilit njeri të evidentuar si i zhdukur në luftën e fundit në Kosovës”, deklaroi ai.

Kurse, Lutfije Ademi-Vokshi, e cila tash e 21-vite pret që të zbardhet fati i vëllaut të saj, thotë se nuk janë të pajtimit që të rifillojë dialogu, përderisa Serbia nuk kthen përgjigje për personat e zhdukur.

“Kosova ka bërë sa ka mundur në këtë drejtim, derisa varet prej Serbisë dhe kjo e fundit nuk jep informata për të zhdukurit atëherë Kosova nuk mund të shkoj tutje….Ndoshta dialogu do të fillon, mirëpo nuk është pajtimi i familjarëve, derisa ata nuk japin informata për të zhdukurit. Bisedimi i para që bëhet aty kishim pas dëshirë të jetë çështja e të zhdukurve”, deklaroi ajo.

12 vjet nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e saktë e të plot të krimeve që kanë ndodhur.