KQZ: Do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të shtunën për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Elezi u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e partive politike për mos certifikimin e listave të tyre për deputetë, KQZ do të veprojnë në përputhje me vendimin e kësaj gjykate.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore: Do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, besoj se do të mblidhet gjatë ditës së nesërme për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme dhe për këtë do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë Elezi.

Gjykata Supreme të premten ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje rreth moscertifikimit të liderit të saj Albin Kurtit, teksa ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që në listë t’i përfshijë Liburn Aliun dhe Labinotë Demin-Murtezin nga ky subjekt.

E nga subjekti që drejtohet nga Kurti, kanë thënë varësisht përmbajtjes së tërë versionit zyrtar, do të vendosin se a do t’i drejtohen apo jo Gjykatës Kushtetuese.

“Ende se kemi pranuar asnjë version zyrtar. Pa e lexu përmbajtjen, nuk mund të themi asgjë. Mbi bazën e asaj do t’i drejtohemi Kushtetueses”, ka thënë për Gazetën Sinjali Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i VV-së.

Ndryshe Kushtetuesja sot certifikoi edhe Shemsedin Dreshajn e AAK-së kurse e vlerësoi si të pabazuar ankesën e Nismës për moscertifikimin e kandidatëve të saj.