KQZ i drejtohet disa institucioneve për verifikimin e mbi 3 mijë kandidatëve për zgjedhjet lokale

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për medie lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas Elezit, për të bërë verifikimin e listës së kandidatëve me 3 mijë e 205 emra, që u takojnë subjekteve të ndryshme politike, i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor i Kosovës, ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

“Janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione”, tha Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së thotë se është kërkuar për secilin kandidat verifikimi sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.

“Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë”, theksoi Elezi.

Shkresat në fjalë janë dërguar nëpër institucione dhe pritet përgjigja e tyre.

“Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës”, përfundoi ai.