Krasniqi flet pas takimit me Kurtin dhe Abdixhikun: Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi me anë të një postimi ka treguar se çka u bisedua në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Krasniqi tha se në këtë takim kryeministri Kurti i informoj dy liderët e opozitës për gjendjen aktuale në veri dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

Tutje, lideri i PDK-së tha se kërkoi nga kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Postimi i plotë:

Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.

Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve.