Krasniqi ia përsëritë Kurtit pyetjet për dialogun: A ofron propozimi evropian mundësinë e marrëveshjes finale?

Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në seancën e sotme të Kuvendit u tha që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të jetë “i sinqertë dhe transparent” për këtë proces.

Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në kërkesën e shkruar ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk çon drejt marrëveshjes finale.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale? A është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re? A ka kornizë kohore ky dialog?”, këto ishin disa nga pyetjet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, drejtuar kryeministrit Kurti.

Krasniqi shtroi dhe pyetje tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian.

“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi dhe a e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes?”, pyeti ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

Qëllimi i parë, siç tha ai, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve, në fushëveprimin e dialogut. Ndërkaq, qëllimi i dytë, sipas tij, është hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Kurti tha se më 9 shtator ka marrë propozimin e njohur si franko-gjerman nga i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, dhe nga i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, në praninë e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimet e qarta të së drejtës ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ai shtoi, pavarësisht se i ishte kërkuar nga emisarët që konfidencialiteti i dokumentit të respektohet, ai i kishte ftuar kryetarët e tri partive opozitare, për t’i njoftuar ata me përmbajtjen e propozimit.

Kryeministri Kurti më tej shpjegoi se mbi çfarë bazash ishte dokumenti i propozuar nga dy emisarët, gjerman dhe francez.

“Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të ngjashme të njohjeve de facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore, si për shembull: marrëveshja Japoni-Kore Jugore”, tha Kurti

Ai theksoi se propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazimit në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i kartës së Kombeve të Bashkuara, për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

Siç tha Kurti, Qeveria e Kosovës e komentoi versionin e parë të propozimit dhe kërkoi “avancimin të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj”.

Kryeministri Kurti tha se në parim pikat e propozimit janë bazë e mirë për diskutim. Por, sipas tij, “e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat, fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”.