Krasniqi: Kurti po e mbron Gjykatën Speciale me dhunë e arrestime

“Krejt ju që thuani se [Albin] Kurti nuk e bëri Gjykatën Speciale, shiheni si po e mbron sot atë gjykatë: me dhunë e arrestime!”, ka thënë Frashër Krasniqi.

Këto komente, aktivisti i Partisë Socialdemokrate (PSD), i ka bërë pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe disa aktivistëve ët tjerë të kësaj partie, pas protestës që organizuan këtë të mërkure për të kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Ndryshe, Partia Socialdemokrate e Kosovës, përmes një reagimi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta lirojë kryetarin e kësaj partie Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistë të tjerë që u arrestuan këtë të mërkurë afër hotelit ku po qëndron kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

“Në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protestës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu theksohet se kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për Gjykatën e padrejtë speciale.

“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë”.