Një shqiptar dhe një serb tentuan t’i kontrabandonin mbi 3 tonë shalqinj, ja si e pësuan

Dy persona, një shqiptar dhe një serb, tentuan të kontrabandonin shalqinj nga Serbia për në Kosovë.

Përmes rrugëve ilegale në veri të Mitrovicës, përkatësisht në Leposaviq, dy persona një serb dhe një shqiptar tentuan që përmes Serbisë të sillnin në Kosovë rreth 3 tonë shalqinj.

Sipas njoftimit të Policisë, dje në ora 20:00, nga njësiti policor është ndaluar kombi me targa të Serbisë që drejtohej nga i dyshuari mashkull serb dhe gjatë kontrollit është vërejtur se i njëjti transportonte 1.8 tonë (1800 kg) shalqinj për të cilat nuk posedonte dokumente përcjellëse.

“Me vendim të prokurorit mjeti me mallin dërgohet në terminalin doganor në Mitrovicë”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Po ashtu në të njëjtën kohë në Leposaviq sipas Policisë së Kosovës është ndaluar kombi që drejtohej nga i dyshuari mashkull shqiptar dhe gjatë kontrollit është vërejtur se i njëjti transportonte 2 tonë shalqinj (2000 kg) për të cilat nuk posedonte dokumente përcjellëse.

Edhe këtij të dyshuarit, me vendim të prokurorit, mjeti me mallin i është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë.