Krasniqi: Me rikthimin e PDK-së në Vushtrri do të rikthehet edhe perspektiva

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar sot në Vushtrri për të uruar asamblistët e partisë që udhëheqë për sipas tij, suksesin e arritur në këto zgjedhje.

Ai tregoi se bashkë me kandidatin për të parin e kësaj komune, Ferit Idrizin, diskutuan për angazhimin e mëtejmë për zhvillimin dhe transformimin e Vushtrrisë.

“Me rikthimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri do të rikthehet edhe perspektiva për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pa dallime partiake, të cilët duan një qeverisje zhvillimore, transformuese, transparente dhe gjithëpërfshirëse.” shkroi i pari i PDK-së në një postim në Facebook.

Tutje Krasniqi tregoi se pa një entuziazëm edhe më të madh për mobilizim drejt fitores më 14 nëntor, pas takimit me kryetarët e nëndegëve të PDK-së në Vushtrri.

“Zotimet e kryetarit Ferit Idrizi për të bashkëqeverisur me qytetarët, për të krijuar vende pune për gratë dhe të rinjtë në veçanti, për ta ndalur korrupsionin në Vushtrri, do të jetësohen në katër vitet e ardhshme.”