Krasniqi: Rikthimi i PDK’së fillon sot me Kryesinë e re

Partia Demokratike e Kosovës sonte ka zgjedhur Kryesinë e partisë. Me shumicë dërrmuese dhe vetëm 16 vota kundër dhe tri abstenime, Këshilli Drejtues në mbledhjen e sotme i dha legjitimitet udhëheqjes së re.

Aty si nënkryetar të PDK-së gjetën vend Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj Ramë Buja dhe Uran Ismaili, ndërsa risi ka edhe në Kryesi. Ky ekip, sipas kryetarit Memli Krasniqi do të fillojë rikthimin e PDK-së që nga sot.

Përmes një konference për medie, Krasniqi tha se në miratimin e kësaj liste, nuk pati tension e as kontestime në mbledhje e sotme e Këshillit Drejtues.

“Kemi një ekip të jashtëzakonshëm me të cilin do të vazhdojmë betejën politike dhe do të ballafaqohemi me sfidat që i kemi përpara. Jam i nderuar për të gjithë njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë, ata kanë besuar në vizionin tim dhe potenciali i PDK-së për t’u rikthyer dhe rikthimi i PDK-së për të marrë besimin qytetarë fillon sot. Kur unë kam një ekip të cilit i besoj dhe me të cilët mendoj të zhvilloj tutje objektivat e vizionit që e kam shpërfaqur kur konventa e dhjetë e PDK-së më ka dhënë besimin që të jem kryetar i PDK-së”, tha ai.

Reagimet e ndryshme brenda partisë, Krasniqi i quajti normale, pasi konsideroi se mund të ketë pasur pritje të ndryshme nga anëtarë të caktuar të Këshillit të Drejtues.

“Është krejtësisht normale dhe demokratike që të ketë edhe mendime të tjera. Nuk dua të nënvlerësoj ato, mund të jenë pritje personale, ambicie për të qenë. Unë e di që edhe sikur të kisha 70 anëtarë në Kryesi do t’i gjeja edhe 70 njerëz të tjerë për të qenë anëtarë të saj. Por, ajo që është e rëndësishme është që këta 27, janë përfaqësues për ta çuar partinë përpara”, tha ai.

Duke përmendur emrat e disa nga anëtarëve të Kryesisë, Krasniqi tha se janë ekspertë të dëshmuar në fusha të ndryshme.

“Nga 27 anëtarë ndoshta 10-11 janë anëtarë që kanë qenë edhe të kaluarën në kryesi. Të gjithë tjerët janë për herë të parë. Përveç atyre që janë bashkuar për herë të parë në aktivitet politik, si dy zonja si dy Besat, Bernardi, Adri Nurellari që është për herë të parë, Bekim Çollaku që po ashtu është për herë të parë, por edhe shumë të tjerë që janë rritur në mënyrë organike brenda PDK-së dhe sot për herë të parë janë anëtarë të Kryesisë, siç është Petrit Hajdari, Nexhat Demaku dhe shumë të tjerë… Nuk është e drejtë që këtë përbërje, ku ka njerëz të dëshmuar, ekspert të fushave prej çështjeve sigurisë dhe inteligjencës, deri tek ekonomia me munduar me i zbeh”, tha Krasniqi.

Ndryshe, kjo është udhëheqja e re e PDK-së: kryetar: Memli Krasniqi, nënkryetarë Vlora Çitakun, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili dhe Ramë Buja, sekretari i përgjithshëm Bajrush Xhemajli.

Anëtarë të Kryesisë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Qollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.