Krasniqi thotë se nuk e ka thirr Kurtin për t`u përplasur me të për dialogun

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se kanë parë se “ka pasur lëvizje” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi ia bëri disa pyetje Qeverisë rreth propozimit franko-gjerman në seancën e thirrur nga PDK-ja për të diskutuar rreth dialogut.

“Ne, si qytetarët, jemi të painformuar për këto lëvizje”, tha ai.

“Prandaj, kjo seancë e ftuar nga ne nuk ka karakter të përplasjes e as të akuzës. Ka karakter të kërkesës për informim krejt legjitim se çfarë po ndodh aktualisht në dialog dhe se cili është pozicioni i Qeverisë”, tha ndër tjerash kryetari i PDK-së.

Krasniqi i tha kryeministrit se “kjo nuk është një rrethanë në të cilën duhet të keni frikë nga ne”.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status kuoje të re që e zëvendëson status kuonë aktuale? A është ky propozim vazhdimësi e Dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes potenciale? A është formati i këtij propozimi një lloj traktati që i njeh si entitete sovrane edhe Kosovën, edhe Serbinë? Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni se mund të ndryshojë teksti final prej versionit që keni deklaruar se e pranoni si bazë të mirë? A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë? A e ofron propozimi një kornizë kohore të saktë se kur ndodhë njohja e ndërsjellë? Sa ka arritur qeveria që të përfshijë komentet dhe sugjerimet e veta në versionin e fundit të tekstit? Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet përmes këtij propozimi? A keni garancione nga partnerët ndërkombëtarë se Kosova do të njihet nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, në rast se arrihet marrëveshja? Cilat do të jenë “karrotat” për Kosovën në rast të arritjes së marrëveshjes e cilët do të jenë “shkopinjtë” në rast se marrëveshja nuk arrihet? A ua keni kumtuar gjashtë kushtet tuaja për themelimin e Asociacionit partnerëve ndërkombëtarë dhe nëse ato nuk pranohen, a do të tërhiqeni prej ndonjërit nga ato kusht? Dhe, a parashihet vazhdimi i Dialogut në Bruksel edhe pas arritjes së marrëveshjes potenciale?”, janë pyetjet e Krasniqit drejtuar kryeministrit.

Krasniqi tha se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte opozitën në Kuvend për të raportuar në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut.

“Madje, do të ishte e udhës që në rast nevoje, edhe të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim, me aq sa kemi potencial e mundësi për ta ndihmuar. Sepse, e kam thënë edhe tjera herë e po e përsëris prapë, përballë Serbisë e aspiratave të saj, mes nesh nuk ka dallime. Përballë Serbisë, jemi bashkë. Por, ja që u desh që ne si opozitë ta ftojmë qeverinë në këtë debat, për shkak se teknikisht po shohim që ka pasur lëvizje në dialog, megjithatë, edhe ne, ashtu si edhe qytetarët, jemi të painformuar rreth këtyre lëvizjeve dhe veçmas pasojave që ato mund të prodhojnë për shtetin dhe shoqërinë tonë”, shtoi ai.

Krasniqi tha se qëndrimet e PDK-së në raport me temën e dialogut janë të njohura dhe konsistente dhe kjo senacë ka karakter të kërkesës për informim legjitim, me atë se çfarë po ndodhë aktualisht në dialog dhe se cili është pozicioni i qeverisë përballë zhvillimeve të fundit.

“Nuk jemi këtu as për të dhënë qëndrimet tona për çështje specifike, sepse ne zyrtarisht nuk e dimë se cila është përmbajtja dhe aranzhmanet që ofrohen me të ashtuquajturin Propozimin Franko-Gjerman apo Evropian. Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, qëndrimet i kemi të njohura e konsistente, historikisht korrekte, kombëtarisht të drejta, dhe institucionalisht të qëndrueshme, e në funksion të të vetmes mënyrë se si mund të garantohet paqja, integrimet dhe e ardhmja. Ne e vlerësojmë angazhimin e koordinuar të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës në proces dhe kemi inkurajuar Qeverinë që të punojë me ta në kuadër të iniciativës së fundit, duke u angazhuar në Dialog për të arritur qëllimet tona të përbashkëta shtetërore, që ne konsiderojmë se duhet të jenë shtyllat qendrore të marrëveshjes eventuale e që janë: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë, sipas rregullimit aktual kushtetues; Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; Nisja e procesit të anëtarësimit në NATO, përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; Marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE; si dhe Njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.