Valon Syla kërkon 30 mijë euro dëmshpërblim nga të akuzuarit për sulmin fizik ndaj tij

122

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor për rastin e sulmit fizik kundër gazetarit Valon Syla, me ç’rast avokati Kushtrim Palushi ka paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit në vlerën prej 30 mijë euro për të dëmtuarin, për shkak se ka përjetuar pasoja të rënda nga sulmi i bërë ndaj tij.

Paraprakisht në këtë seancë është bërë administrimi i provave materiale si në aktakuzë, si dhe është aprovuar propozimi i mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Okan Hasanit, gjegjësisht avokatit Rrahim Ajeti që të administrohet si provë materiale CD-ja lidhur me statusin e bërë nga Syla në “Facebook”.

Kurse, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e avokatit Ajeti që të merren kamerat e sigurisë ku ka ndodhur sulmi ndaj Sylës, me arsyetimin se nga prokuroria është bërë e ditur se nuk ka kamera në atë vend.

Në anën tjetër, është refuzuar edhe propozim i mbrojtjes së të akuzuarit Kenan Hasanit, avokatit Ridvan Kajtazi, që të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit hetuesi policor që ka realizuar procesin e identifikimit të të akuzuarve si kryerës të veprës penale.

Seanca më pas ka vijuar me fjalën përfundimtare, ku prokurori Shefkiu ka propozuar dënimin e të akuzuarve konform dispozitave ligjore, duke marrë parasysh edhe faktin se për kryerjen e veprës penale, të akuzuarit kanë pasur këmbëngulësi.

Kurse, avokati Palushi tha se përveç kërkesës pasurore juridike që paraqesin si palë e dëmtuar, kërkon po ashtu nga gjykata që tre të akuzuarit të dënohen sipas ligjit, pasi që, sipas tij, me veprimet e tyre është shkaktuar frikë në tërësi te komuniteti i gazetarëve.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Dërvishi, avokatja Merita Bogaj, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, duke thënë se i qëndron mbrapa në tërësi.

Ndërkaq, avokati Kajtazi kërkoi që ndaj Kenan Hasanit të caktohet një dënim më i butë, duke marrë parasysh rrethanat që janë elaboruar në shqyrtimin gjyqësor. Sipas avokatit, kërkesa pasurore si e tillë si është propozuar është e pabazuar në prova dhe nuk duhet të qëndrojë si e tillë.

Dhe në fund, avokati Ajeti tha se Prokuroria Speciale, e ndikuar nga media lidhur me këtë rast, kishte bërë edhe kualifikimin juridik si nxitje të urrejtjes, dhe se ndaj tre të akuzuarve është bërë padrejtësi qysh nga fillimi kur të njëjtit ishin dërguar në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Të akuzuarit me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare nga mbrojtësi e të akuzuarve, thanë se nuk e përkrahin fjalën e tyre dhe se në asnjë moment nuk janë ngritur në këmbë për të respektuar gjykatën.

Në fund trupi gjykues e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.

Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur me 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pasi që më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni KËTU./BetimipërDrejtësi