Krasniqi: UÇK-ja është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar lidhur me dënimin e Speciales për Salih Mustafën më 26 vjet burgim.

Krasniqi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.

Sipas tij, dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar.

Ai shpreson se ky vendim do të korrigjohet në shkallën e dytë.

Postimi i tij i plotë:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj.

Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.

Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë.

Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë.