Në mungesë të parave, 18 për qind e pacientëve heqin dorë nga shërbimet shëndetësore

Mungesa e të dhënave për Fondin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike në Kosovë, ka qenë temë e tryezës së Institutit Columbus, e organizuar në “Javën Kundër Korrupsionit”.

Pjesëmarrësit kanë kërkuar që sa më parë të vihet në funksion të plotë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të mund të marrin shërbime mjekësore në mënyrë të barabartë.

Sipas hulumtueses së Institutit Columbus, Saranda Ramaj, fondi për trajtim jashtë institucioneve publike është një nga çështjet më të diskutueshme në shëndetësinë publike.

“Lista e pritjes për të përfituar nga ky fond është e gjatë, ndërsa jo të gjithë përfitojnë nga ky fond. Nuk ka shumë të dhëna se ku përfundon ky fond dhe nëse mjetet e shpenzuara janë në linjë me shërbimet e ofruara në institucione private”, ka deklaruar ajo.

Drejtori i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, ka folur për një të dhënë në Raportin e Progresit, sipas së cilës 18 për qind e pacientëve në Kosovë nuk kërkojnë shërbime shëndetësore në pamundësi të pagesës.

“18 për qind në Kosovë bëjnë 360 mijë persona, që fare nuk kërkojnë shërbim për shkak se nuk kanë mundësi t’i paguajnë tarifat. Kjo vlen edhe për sektorin publik. Ata lirohen nga pagesa e shërbimeve, por u duhet t’i blejnë barnat”, është shprehur Kodra. Ai ka thënë se shpreson që sa më parë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të bëhet funksional në mënyrë që edhe kjo kategori të gëzojë shërbime mjekësore. Kodra ka thënë se edhe statistikat për vizita tek mjeku nuk flasin mirë në Kosovë.

“Përderisa Bashkimi Evropian i ka 7 vizita për kokë banori, ne i kemi 2.4. Jemi shumë poshtë me performancë. Te ne vdesim 10 vjet më herët, sesa në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Kodra, duke shtuar se në shëndetësi me rëndësi është rezultati dhe jo puna.

i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, duke sjellë përvojën e tij, ka treguar se si kur një pacienti i janë shkruar 5 lloje të barnave, ai i ka marrë vetëm dy. Jakupi ka thënë se hyrja në funksion të plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do të jetë në të mirë të pacientëve.

Përfaqësuesi i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Fatmir Spahiu, ka thënë se nuk guxojnë të caktojnë data se kur do të fillojë së zbatuari Ligji për Sigurime Shëndetësore. Ai ka thënë se pa qenë të gatshëm që të ofrojnë shërbimet nuk do të fillojnë me mbledhjen e premiumeve.