Krasniqi: VV dhe LDK duhet ta fillojnë pastrimin e radhëve nga mangupat

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka komentuar luftën virtuale mes dy partive politike, VV e LDK.

Krasniqi ka thënë se këto dy parti së pari duhet ta bëjnë pastrimin nga mangupat që nuk e dallojnë politikën nga sharjet në rrjete sociale. Derisa ka shtuar se ato duhet të bëjnë kujdes për çdo fjalë.

“ VV dhe LDK duhet ta fillojnë pastrimin e radhëve nga mangupat , që nuk e dallojnë politikën nga sharjet e ndyra në fejsbuk. Në opozitë fjala nuk u ka pasur peshë, ndaj kanë folur mbarë e mbrapshtë. Tash kur i kanë fituar zgjedhjet, duhet të bëjnë kujdes për çdo fjalë. Secili duhet ta kuptojë se koalicioni nuk bëhet me presion, por bëhet me harmonizimin e interesave të partive pjesëmarrëse. (Nga sa marr vesh, do t’u duhet të harmonizohen edhe më Listën Serpska!)”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje ai ka thënë se duke fyer figurat me ndikim të LDK-së (në këtë rast Lutfi Hazirin e Isa Mustafën) gjërat vetëm përkeqësohen.

“Nuk e kam angazhimin tim për kurrfarë simpatie e as antipatie, e kam vetëm ngase VV e LDK kanë përgjegjësi që të formojnë institucionet, për ç’arsye duhet t’i shmangin ndikimet e mangupave. Nëse mangupat vazhdojnë me presione e sharje, dëmi mund të jetë shumë i madh, deri te paraliza e vendit”.