Kremlini pretendon se Ukraina ka goditur një depo nafte në Rusi

Kremlini është deklaruar të premten për një sulm të dyshuar ukrainas në një depo nafte në qytetin e Rusisë, Belgorod.

Sipas Kremlinit, sulmi nuk krijon kushte të përshtatshme për të vazhduar bisedimet për paqe, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale është parë zjarri afër disa blloqeve të ndërtesave, rreth 40 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Guvernatori lokal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se “ka pasur zjarr në një depo të naftës për shkak të sulmit ajror të kryer nga dy helikopterë ushtarakë ukrainas”.

“Askush nuk është vrarë”, ka thënë ai.

Pretendimet e guvernatorit Gladkov nuk janë konfirmuar nga zyrtarët ukrainas./REL